Mashtrim me TVSH e fshehje të ardhurash – Tatimet çojnë në prokurori 194 biznese, dyshime për evazion fiskal rreth 50 milionë dollarë
Administrata Tatimore ka dërguar për hetim në prokurori gjatë vitit të shkuar 194 subjekte të dyshuara për skema mashtrimi me TVSH-në, fshehje të ardhurash apo evasion fiscal. E konsiderueshme është edhe shuma e përfitimeve të paligjshme të këtyre subjekteve, e cila arrin në rreth 50 milionë dollarë.
Sipas të dhënave zyrtare të Departamentit të Hetimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, shuma totale e evazionit fiscal të referuar në Prokurori është 5.1 miliardë lekë, apo afërisht 50 milionë dollarë. Pjesa më e madhe e madhe e tij përbëhet nga mospagimi I taksave apo tatimeve me një vlerë prej rreth 19 milionë dollarësh. Fshehja e të ardhurave renditet e dyta me një vlerë totale prej afro 14 milionë dollarësh, ndërkohë që rreth 10 milionë dollarë evasion fiscal dyshohet se janë shkaktuar përmes mashtrimit me skemat e rimbursimit të TVSH-së.
Shifrat e konsiderueshme të evazionit janë shoqëruar edhe me një ecuri të dobët të tatimeve përgjatë gjithë vitit 2020, nën presion e Pandemisë Covid 19.
Për vitin 2020, të ardhurat tatimore bruto gjithsej janë programuar 246.5 miliard lekë dhe janë realizuar 235.5 miliard lekë, me një mosrealizim në vlerë prej 11 miliard lekë ose 4.45 % më pak. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, me realizim të ardhurash 259.5 miliard lekë, rënia e të ardhurave tatimore është 24 miliard lekë më pak ose 9.24 % më pak.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.