Mbretëresha e Kolonisë – A përfaqëson gjiganti kinez fillimin e të ardhmes së financave? – SCAN MAGAZINE
Në botën e stabilizuar të bankave kineze, është e rrallë që drejtuesit të shprehin kritika publike. Por kjo nuk e pengoi Jack Ma, themeluesin e gjigantit të tregtisë elektronike Alibaba, të dalë në titujt kryesorë të gazetave në vitin 2008, teksa ankohej se sa e vështirë ishte për bizneset e vogla të merrnin hua: “Nëse bankat nuk ndryshojnë, ne do të ndryshojmë bankat”, tha ai. Që atëherë nuk i është dashur ta përsërisë paralajmërimin e tij. Ai nuk ka patur nevojë për to. Përmes Ant Group, (ant- në anglisht milingona) që nisi si një shërbim pagesash për Alibaba, ndikimi i Z. Ma në sistemin financiar kinez ka qenë i thellë. “Milingona” e ka bërë Kinën lider botëror në transaksionet dixhitale, u ka dhënë sipërmarrësve dhe konsumatorëve qasje shumë më të madhe në kredi dhe ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit menaxhojnë paratë e tyre. Tani është një gjigant më vete. Gjatë vitit të kaluar numëronte më shumë se 1 miliard përdorues aktivë. Vitin e kaluar trajtoi 110 tilion juan, ose 16 trilion dollarë pagesa, gati 25 herë më shumë se Pay-Pal, platforma më e madhe e pagesave në internet jashtë Kinës.
Një ofertë fillestare publike (ipo) në javët e ardhshme do të dëshmojë për rritjen e “Milingonës”. Ajo pret të mbledhë më shumë se 30 miliardë dollarë, duke eklipsuar debutimin e Saudi Aramco vitin e kaluar si ipo-ja më e madhe – një simbol i tranzicionit në botë nga një shekull në të cilin nafta ishte burimi më i vlefshëm drejt epokës dixhitale të të dhënave. Me shumëfishimin e fitimevem me një çmim prej 40 dollarë për aksion, në përputhje me kompanitë e mëdha globale të pagesave, Ant Group mund të arrijë një kapitalizim tregu më të madh se 300 miliardë dollarë, më shumë se çdo bankë në planet.
Insekti me këmbë të fuqishme
Më e rëndësishme se madhësia e saj është ajo që përfaqëson. Ka rëndësi globale më shumë se çdo institucion tjetër financiar kinez. Bankat e Kinës janë të mëdha por joefikase, të rënduara nga pronësia e shtetit. Në të kundërt, financuesit e huaj e shikojnë Ant-in me kureshtje, zili e ankth. Disa skifterë në Shtëpinë e Bardhë thuhet se duan të frenojnë kompaninë ose të pengojnë IPO-në e saj. Ant është platforma më e integruar fintech në botë: mendojeni atë si një kombinim të Apple Pay për pagesa, PayPal për pagesa në internet, Venmo për transferta, Mastercard për karta krediti, JPMorgan Chase për financimin e konsumatorit dhe iShares për investime, dhe si një broker sigurimesh të mirë, të gjitha këto në një aplikacion të vetëm celular.
Duke pasur parasysh bollëkun e të dhënave të konsumatorëve në Kinë dhe masat mbrojtëse relativisht të dobëta për përdorimin e tyre, Ant ka më shumë hapësira se kolegët e fintech kudo tjetër. Më shumë se 3,000 variabla përbëjnë modelet e saj të rrezikut të kreditit dhe sistemet e automatizuara vendosin nëse do të japë hua brenda tre minutash – një pretendim që mund të duket i gabuar por për aftësinë e provuar të Alibaba për të trajtuar 544,000 porosi në sekondë, kjo nuk është çudi. Me pak fjalë, Ant është shembulli më i pastër në botë i potencialit të jashtëzakonshëm të financave dixhitale.
Por ndërsa përparon më tej, mund të shfaqet gjithashtu paralajmërimi i hershëm i kufizimeve të saj. E nisim me pyetjen e thjeshtë: çfarë është “Milingona”? Në dekadën e saj si një kompani e pavarur ajo ka ndryshuar tre herë emrat – nga Alibaba e-Commerce në Ant Small and Micro Financial Services e më pas në Ant Group. Kompania dikur e quante veten një udhëheqëse të fintech. Pastaj Z. Ma e përmbysi termin në techfin, në mënyrë që të jepte më mirë përparësitë e tij, për ta dalluar veten nga një firmë thjesht financiare. Megjithatë nuk ka dyshim që Ant, në zemër të saj, ka të bëjë me financat. Mënyra më e qartë për të kuptuar modelin e saj të biznesit është të shikojmë katër pjesët nga të cilat merr të ardhurat e saj.
E para janë pagesa – që përbëjnë ende bazën e kompanisë. Ant u krijua në 2004 si zgjidhje për një problem. Blerësit dhe tregtarët ishin dyndur tek Alibaba por nuk kishin një mundësi pagese të besueshme. Alipay u krijua si një llogari në ruajtje, duke transferuar para tek shitësit pasi blerësit kishin marrë produktet e tyre. Me nisjen e një aplikacioni celular Alipay, kompania u zhvendos edhe jashtë linjës së vet, duke shënuar super rritjen e vet në vitin 2011 me futjen e kodeve QR për pagesa.
Për Kinën në tërësi, transaksionet dixhitale arritën në 201trilionn juan në 2019, nga më pak se 1trilion në 2010. Pjesa e tregut e Alipay është zvogëluar që kur Tencent, u shtua si një mundësi pagese nga ËeChat, aplikacioni mbizotërues i Kinës për mesazhe. Të dy kompanitë fitojnë më pak si 0,1% për çdo transaksion, shumë më pak sesa fitojnë bankat nga kartat e debitit. Duke pasur parasysh vëllimin e madh të shitjeve, kjo është shumë. Ant gjeneroi gati 52 miliard juan të ardhura nga biznesi i pagesave në vitin e kaluar. Por rritja po ngadalësohet, duke rënë nga 55% e të ardhurave të Ant në 2017 në 36% në gjysmën e parë të këtij viti. Por pika thelbësore është se pagesat janë një portë hyrëse me të cilat Ant tërheq përdoruesit, i kupton ata dhe në fund të fundit i monitoron ata.
Përfituesi më i madh i të gjithë këtij informacioni e të dhënash është sektori i huadhënies në Ant, pjesa e dytë më e madhe e kompanisë (të cilën Ant, nuk ia shmang zhargonit duke e quajtur CreditTech). Ant filloi huadhënien për konsumatorët në 2014, me hapjen e Huabei, një linjë kredie e pasigurtë për blerjet – në thelb një kartë krediti virtuale. Përdoruesit e Alipay mund të përdorin Huabei për të shtyrë pagesat me një muaj ose për t’i ndarë ato me këste. Kartat e kreditit bënin konkurencë, kështu që Huabei u zhvillua në Jiebei, një mundësi që përdoruesit e Alipay të marrin më shumë hua. Ant ofron hua, me fokus në bizneset shumë të vogla. Normat vjetore të interesit janë ndërmjet 7% dhe 14%, më të ulëta se sa alternativat e tjera për hua të vogla.
Në më pak se gjysmë dekade Ant ka arritur 1.7 tr juan në kredinë e konsumit, ose afërsisht 15% të tregut të huasë konsumatore të Kinës. Kreditë e saj për bizneset e vogla kapin gjithsej rreth 400 miliardë juanë, rreth 5% të tregut të huave të ndërmarrjeve të vogla. Nga një perspektivë financiare, risia më e madhe e Ant është mënyra se si e financon kredinë. Fillimisht, ajo grumbulloi huatë dhe më pas i paketoi ato si letra me vlerë, të shitura në institucione të tjera financiare. Por rregullatorët kishin frikë nga një paralele e mundshme me bumin e sigurimeve që i parapriu krizës financiare të 2007-09. Ata kërkuan që krijuesi i letrave me vlerë të mbante kapital ashtu si çdo bankë – një rregull që përfshiu edhe Ant. Por Ant-i shpiku një qasje të re. Tani i identifikon dhe vlerëson huamarrësit, por më pas i kalon ato te bankat që japin huatë. Ant merr “tarifën e shërbimit teknologjik”. Për huamarrësit është një lehtësim i madh. Me disa prekje në smartfon, kërkesat e tyre për kredi miratohen ose refuzohet në çast. Ant ka ndërtuar një model huadhënie pothuajse pa asnjë kosto. Plot 98% e kredive mbahen si pasuri nga firmat e tjera. Ndërkohë kredia është bërë segmenti më i madh i biznesit të Ant, duke zënë 39% të të ardhurave të saj në gjysmën e parë të këtij viti.
Fuqia e platformës Ant i mundëson asak edhe segmentine tretë e të katërt të biznesit: menaxhimin e aseteve dhe sigurimet (InvestmentTech dhe InsureTech, duke përdorur emërtimet e Ant). Ant filloi me menaxhimin e aseteve në 2013 me hedhjen në treg të Yu’ebao, ose “pjesa e thesarit”. Ideja ishte që tregtarët ose blerësit me para në dorë në Alipay të mund të merrnin një fitim të vogël, nëse i linin paratë në një fond të caktuar. Kjo tërhoqi njerëzit e interesuar në Yu’ebao thjesht për ruajtjen e parave të gatshme, pasi që rendimentet e tyre (tani afërsisht 1.7%) ishin më të larta se ato të disponueshme në llogaritë rrjedhëse në banka. Deri në vitin 2017 Yu’ebao kishte krijuar fondin më të madh në botë të tregut të parave për nga madhësia. Ant zgjeroi ofertat e saj për t’u bërë një nga kanalet më të fuqishme kineze në investime. Sot 170 kompani mbajnë më shumë se 6,000 produkte të tilla si fonde të aksioneve dhe obligacione në Ant. Të gjitha këto firma kanë afërsisht 4.1 trilion juan në asete nën menaxhim të mundësuar nga aplikacioni.
Përfshirja e Ant në sigurime ka ndodhur kohët e fundit. Për një dekadë ajo ofroi sigurim transporti për blerjet në Alibaba, duke u lejuar klientëve të pakënaqur ti kthenin mallrat pa pagesë. Por në dy vitet e fundit ajo ka aplikuar modelin e saj të menaxhimit të aseteve në sigurime. Në partneritet me firmat e mëdha të sigurimeve, ajo ka zbuluar sigurimin e jetës, të makinave dhe të shëndetit. Menaxhimi i aseteve dhe sigurimet tani sjellin gati një të katërtën e të ardhurave të kompanisë.
“Milingonat” marshojnë
Thjesht duke parë numrat, Ant mund të duket e pandalshme. Ajo ka shkaktuar nivele marramendëse të rritjes në çdo treg ku ka hyrë. Përfiton nga rrjeti i saj kaq të njohur në botën e teknologjisë: sa më shumë njerëz që e përdorin atë, aq më e fortë është tërheqja që shkakton për akoma më shumë huamarrës, huadhënës dhe investitorë. Është një cikël i frutshëm, veçanërisht për aksionerët e Ant. Sidoqoftë, ekzistojnë tre lloje rreziqesh që mund ta ngadalësojnë atë: rregullatorët, konkurruesit dhe ato që është thelbësore modeli i vet i biznesit.
Peizazhi rregullator në Kinë është i pabesë. Zyrtarët nxjerrin pafund rregulla për bankat dhe investitorët, duke synuar të mbyllin vrimat që shfaqen vazhdimisht në ekonominë me rritje të shpejtë në botë, por edhe të ngarkuar me borxhe. Shumë kanë dyshuar prej kohësh se qeveria do t’i japë Ant-it, një firmë e sektorit privat, pak hapësirë në sistemin e kontrolluar nga shteti. E vërteta është se rregullatorët kanë vënë pengesa të shumta në rrugën e Ant. Përpjekja e saj e parë për të lëshuar një kartë krediti virtuale u bllokua. Masat e sigurimit kushtëzuan modelin e saj të huadhënies. Një plan qeveritar për të standardizuar kodet QR mund ta dobësojë atë në pagesa, duke zvogëluar potencialisht dominimin e tregut prej saj. Një rregull tjetër i ri, që hyn në fuqi në nëntor, e detyron Ant-in të mbajë më shumë kapital. Por nëse të gjitha këto pengesa kishin për qëllim të ndalonin “milingonën”, ato nuk kanë patur sukses. Për këtë ka një shpjegim alternativ. Rregullatorët, të kujdesshëm ndaj grackave në inovacionin financiar, vazhdojnë të ngrenë muret rreth Ant. Sidoqoftë, në përgjithësi, atyre u pëlqen ajo. Jo vetëm që ka dhënë kredi drejt konsumatorëve të vegjël dhe bizneseve, por gjithashtu i ka dhënë qeverisë më shumë informacion në lidhje me flukset e parave. Duncan Clark, autor i një biografie të Jack Ma, vëren se rregullatorët kanë luftuar prej kohësh për të monitoruar të gjitha cepat e Kinës, duke iu referuar fjalës së vjetër se malet janë të larta dhe perandori shumë larg. “Ant në thelb i ka mundësuar Pekinit të shpojë malet dhe të fluturojë me dronë mbi majat e tyre,” thotë ai.
Një kërcënim tjetër për Ant janë konkurrentët e tij. Deri në 2013 pagesat me celular ishin, pak a shumë, domeni ekskluziv i Ant. Por që kur ËeChat e kudondodhur krijoi Tencent si një aplikacion pagese, ky I fundit ka marrë gati 40% të tregut. Firmat e tjera gjithashtu kanë ambicie financiare. Meituan, një aplikacion i njohur për shpërndarjen e ushqimit, tani gjithashtu ofron kredi. Krahu financiar i jd.com, një firmë e tregtisë elektronike dhe Lufax, një platformë online e menaxhimit të pasurive, janë gati për të hyrë në rrugën e IPOS këtë vit. Megjithatë deri më tani këta konkurrentë kanë një gjurmë financiare shumë më të vogël se ajo e Ant.
Një problem më vete për kompaninë përbën edhe modeli i saj i biznesit. Episodi më i diskutueshëm në historinë e Ant ndodhi në 2011 kur Z. Ma e krijoi atë nga Alibaba, pa njoftuar SoftBank dhe Yahoo, të cilët së bashku mbanin rreth 70% të aksioneve të Alibaba në atë kohë. Z. Ma shpjegoi se rregulloret kineze i ndalonin të huajt të zotëronin firma të pagesave të brendshme. Disa dyshuan se ai nuk donte të sillte investitorë të fuqishëm më afër shtëpisë. Aktiviteti i hershëm i Ant në mbledhjen e fondeve si një firmë e pavarur përfshiu edhe ndërmarrjet kryesore shtetërore. Aksione të saj iu shitën gjithashtu një firme të kapitalit privat të menaxhuar nga nipi i Jiang Zemin, udhëheqësi kryesor i Kinës.
Megjithatë, në retrospektivë, spin-off-i ka një arsyetim të qartë strategjik. Si një kompani e pavarur Ant ka pasur motivimin për të eksploruar cepa të largëta të sistemit bankar dhe për të vepruar në mënyrë agresive. Nga ana tjetër, Ant ka diversifikuar, me më pak se 10% të të ardhurave të saj tani nga Alibaba. Për dinamikat e tjera të tregtisë elektronike të Kinës, suksesi i saj ofron një model. Të tjerët mund të jenë disa vite prapa, ndonëse gara e fintech nuk ka të mbaruar kurrë.
Për vetë natyrëne biznesit të saj rreziqet për Ant kanë një rezonancë më globale. Huadhënia e pasigurt për huamarrësit e vegjël është e rrezikshme, nga kushdo dhe cilado mënyrë që të bëhet. Në të vërtetë, pandemia e koronavirusit ka ofruar një përkeqësim për huatë me vonesë (më shumë se 30 ditë në të kaluarën) të lëshuara nga aplikacioni i saj, ata gati janë dyfishuar nga 1.5% e totalit të kredisë së saj të papaguar në 2019 në 2.9% në muajin korrik 2020. Megjithatë, kjo shifër është më mirë se shumica e bankave të tjera në Kinë. A nuk duhet parë kjo edhe si një aftësi e “milingonës”? Disa kritikë thonë se ajo pasqyron fuqinë e saj në treg. Duke pasur parasysh qendrën e saj të operacioneve në Alipay dhe Alibaba, pak guxojnë të të mos paguajnë huatë për “milingonën”, pasi kanë frikë se një vlerësim i ulët i kredisë mund të dëmtojë pjesë të tjera të biznesit të tyre. Shumë bankierë janë të bindur se Ant në të vërtetë ka një avantazh në analizat e saj. “Ata nuk kanë nevojë për deklarata tremujore. Ata e shohin rrjedhën e përditshme të fondeve të gjithkujt. Ata e dinë shumë mirë se kush është klienti”, thotë një banker. Bazuar në adresën për dërgesat e tregtisë elektronike, Ant ka më shumë informacione të përditësuara sesa një bankë për faktin se ku jeton dhe punon dikush. Bazuar në atë që blen ai person, Ant mund të ndikojë deri në preferencat dhe mënyrën e tyre të jetesës.
Por sipas Hui Chen, një profesor financash në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts, i cili ka punuar në projekte kërkimore me Ant, rreziqet individuale dhe sistematike janë të ndryshme. Të dhënat e automatizuara që mbështesin algoritmet e Ant, të cilat mblidhen pas vëzhgimit të vajueshëm të sjelljes individuale, janë në gjendje të zbulojë modelet dhe anomalitë. Por nëse rreziqet nuk shfaqen në të dhënat historike – të themi, një tronditje e madhe ekonomike – të dhënat e automatizuara skanë vlerë.
Ant gjithashtu ka një marrëdhënie të vështirë edhe me bankat. Ajo mbështetet tek ata për të financuar huatë nëpërmjet platforms së saj, por ndërsa rritet ajo mund të bëhet një konkurrent në sytë e tyre. Tani për tani kjo nuk është shumë shqetësuese, duke qenë se përqendrohet te huamarrësit e injoruar nga bankat. Por kjo nuk do të thotë që Ant mund të ketë përherë miqësi me institucionet që dikur synonte t’i prishte.
Ekzistojnë dyshime se për platformat e saj të investimeve dhe sigurimeve. Ant ka shkëlqyer në shitje, menaxhimin e fondeve dhe tregun e parave falë bollëkut të investitorëve me pakicë. Lëvizja lart në zinxhirin e vlerës mund të jetë më e vështirë.
Dëgjohen hapa
Ambicia globale e “milingonës” gjithashtu po has në probleme jashtë kontrollit të saj. Ajo ka aksione në rreth dhjetë kompani të ndryshme të fintech në Azi, të tilla si Paytm në Indi. Zhvilluesit e saj dikur imagjinonin një botë të varur nga Ant, duke projektuar një arkitekturë për kredi për investime që kapërcente kufijtë. Goditja e parë ndaj këtij vizioni erdhi në 2018 kur Amerika bllokoi blerjen nga AntG të MoneyGram, një firmë transferimi parash, e cila do ta kishte kthyer Ant në një fuqi globale për dërgesat. Shqetësimet e sigurisë mbi Ant janë rritur ndërsa politika e jashtme e Kinës është bërë më agresive. Nuk është çudi që Ant të kushtojë vetëm një të dhjetën e të ardhurave në IPO-n për zgjerimin e saj ndërkufitar.
Pavarësisht nga të gjithë këto kufizime, mësimi nga një dekadë ekzistencë e Ant është se mundësitë e së ardhmes mbeten të mëdha. Zonja Li është një drejtuese e Invesco, një mini-faqe e firmës Ant në menaxhimin e fondeve brenda aplikacionit Alipay, një nga dhjetëra mijëra seksionet e veçanta që përbëjnë ekosistemin Ant. Në shtator Invesco organizoi një transmetim të drejtpërdrejtë në mini-sajtin e saj për të diskutuar perspektivat e veta të tregut. Më shumë se 700,000 njerëz u përfshinë aty – si për të treguar vetëm një shembull se si Ant është bërë dera kryesore e sistemit financiar për dhjetëra milionë njerëz. Miliona janë të përfshirë në të, ndonëse shumë të tjerë nuk e kanë bërë ende. “Milingona” së shpejti do ta dijë ku jetojnë, sa fitojnë e çfarë duan edhe ata. Është nisur drejt jush. The Economist-AD
Adi Darsi / SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.