Mbrojtja Sociale – Me skemën e re përfitojnë 79 891 familje dhe hiqet ndihma ekonomike e pjesshme
Buxheti i vitit 2018 parashikon më shumë fonde pothuajse në të gjitha fushat. Përjashtim nuk bën as Mbrojtja Sociale, për të cilën janë parashikuar edhe një sërë ndryshimesh.
Rritja e transparencës së skemës së Ndihmës Ekonomike nëpërmjet regjistrit elektronik kombëtar dhe përdorimi i sistemit të pikëzimit janë edhe dy pikat kyçe të projektuara të vihen në zbatim në vitin e ardhshëm. Duke targetuar të varfrit, kjo skemë synon që të bëjë pjesë të saj vetëm familjet më në nevojë, duke lënë jashtë saj abuzuesit.
Kjo është menduar të realizohet nëpërmjet një sistemi të ri vlerësimi sipas modelit bio-psiko-social, duke rritur kështu me 4.5% numrin e përfituesve që u takon realisht.
Gjatë këtij viti janë parashikuar se do të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike rreth 79 891 familje, një numër shumë më i lartë krahasuar me atë të vitit 2017, ku përfituan vetëm 32 441 familje.
Po ashtu, skema e re eliminon ndihmën ekonomike të pjesshme, duke rritur kështu masën mesatare mujore me një vlerë prej 5600 lekë në muaj.
Një skemë e re në nivel kombëtar duke aplikuar kritere gjithëpërfshirëse është një tjetër prioritet i vendosur për vitin e ardhshëm në kuadër të mbrojtjes sociale.
Këtë vit janë parashikuar të trajtohen me pagesë 164 410 persona që përfshijnë persona me aftësi të kufizuar, kujdestarë të PAK dhe invalidët e punës.
Programi i Ndihmës Ekonomike pritet që t’i nënshtrohet një transformimit rrënjësor. Kjo konsiston në krijimin e një skeme aktive riintegrimi për krijimin e mundësive për punësim.
Përveç regjistrit elektronik të vendosur në 2017, është menduar edhe vënia në funksion e Sistemit të Menaxhimit të Informacionit të integruar për skemën e pagesave të aftësisë së kufizuar. Kjo do të përfshijë edhe një arkivë elektronike.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.