Ministria e Financave: Sot ‘testi’ i Eurobondit 500 mln euro
Pritet sot finalizimi i një procesi të rëndësishëm për ekonominë dhe financat shqiptare, dalja me sukses në tregjet ndërkombëtare të kapitalit për blerjen e Eurobondit.
Përmes emetimit të tij, me afat maturimi 5-7 vjet Shqipëria synon të marrë hua deri në 500 milionë euro.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, një afat 7 vjeçar maturimi, për herë të parë për Shqipërinë, do të ishte një arritje e rëndësishme që reflekton drejtpërsëdrejti rritje të besimit të investitorëve të huaj në ekonominë dhe financat e vendit. MEF ka shtuar më tej se eurobondi i ri pritet të rezultojë me interesa më të ulëta, ndryshe nga vitit 2015.
Ndërkohë, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama shkruan: “Ekonomia shqiptare mirë a keq?Rritet a bie? Ka s’ka perspektivë?Sot përgjigjen s’e jap unë, as opozita, as komentatorët e banaqeve a të fejsbukut, as raportet ndërkombëtare, po TREGJET BOTERORE TE KAPITALEVE! Le të presim disa orë për të parë si e shohin tregjet ekonominë tonë.”
Huaja e marrë përmes eurobondit do të përdoret për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim, por edhe për të shlyer para kohe 200 milionë euro borxhe të marra përmes eurobondit të emetuar në 2015, që në kushtet e marrjes me interesa më të ulëta, do të rezultojë në uljen e kostove të borxhit në buxhetin e shtetit dhe qytetarëve.
Ndërkohë, më herët agjencia e vlerësimit të kreditit Moody’s në raportin e plotë mbi analizën vjetore të ekonomisë shqiptare është ndalur edhe te eurobondi, ku sipas saj do të ndihmojë në krijimin e një muri mbrojtës për ekonominë dhe financat shqiptare.
Kjo është hera e tretë që Shqipëria emeton eurobond, për të marrë borxh në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.