Moska, marrëveshje me Renault – Aktivitetet e kompanisë franceze tashmë në pronësi të shtetit rus
Aktivitetet e kompanisë automobilistike franceze Renault në Rusi, duke filluar që nga sot janë në pronësi të shtetit rus. Lajmi u konfirmua nga ministria e Industrisë dhe Tregtisë së Moskës me anë të një deklarate për mediat. Ky vendim merret pas tërheqjes së Renault nga Rusia si pasojë e pushtimit të Ukrainës. Ministria ruse sqaroi se janë firmosur marrëveshje për transferimin e aseteve të ruse nga grupi Renault tek Federata Ruse dhe qeveria e Moskës.
Bashkia e Moskës bëri të ditur se ka vendosur të rimarrë në dorëzim degën e Reauolt në Moskë dhe të rifillojë prodhimin e automjeteve me markën historike të “Moskvich”, pas marrëveshjes së arritur me kompaninë franceze. Impianti i Moskviç do të prodhojë në të ardhmen automjete elektrike. Partneri kryesor teknologjik i fabrikës së rikrijuar të automjeteve të Moskvich do të jetë Kamaz. Në një fazë të parë do organizohet prodhimi i automjeteve klasike me motor me djegie të brendshme, dhe për një periudhë afatgjatë ai i automjeteve elektrike.
Renault që në perëndim është grupi automobilistik më i ekspozuar në tregun rus, konfirmoi se ka shitur degën e saj ruse dhe kuotën e aksioneve në Avtovaz, duke ruajtur opsionin e riblerjes për gjashtë vjet.
Kompania franceze nga ana e saj me anë të një deklarate për media e konsideroi si një vendim të vështirë por të domosdoshëm, dhe tashmë shqetësimi më i madh është për 45 mijë të punësuarit në Rusi. Por gjithsesi në deklaratë shtohet se është lënë një derë hapur për rikthim.
Kompania, 15% e të cilës është në pronësi të shtetit francez vlerësoi një humbje prej 2. 2 miliard eurosh si pasojë e pezullimit të aktiviteteve në Rusi. Më shumë se 400 sipërmarrje janë tërhequr nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës që nisi në 24 shkurt, duke lënë pas miliarda dollarë asete.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.