Nafta e nis javën në rënie – Vijon rritja e prodhimit të naftës bruto në SHBA
Çmimet e naftës e kanë nisur në rënie këtë javë, për shkak të prodhimit rekord në SHBA dhe pritshmërive se, OPEC do të rrisë prodhimin, për të balancuar rritjen e kërkesës. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 65.4 dollarë për fuçi, ndërsa javën e kaluar, ky bençmark humbi rreth 3% të vlerës.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 75.9 dollarë për fuçi. Tashmë që po vjen stina e verës, që është sezoni me kërkesën më të lartë për naftë, analistët parashikojnë një rënie të rezervave të naftës në SHBA, por rritje të prodhimit të naftës argjilore. Referuar të dhënave të Administratës për Informimin mbi Energjinë, prodhimi në SHBA u rrit në 10.47 milionë fuçi, gjatë marsit. Në anën tjetër, kompanitë amerikane të energjisë e rritën me 2 njësi numrin e puseve aktive, gjatë javës që u mbyll më 1 qershor, në totalin e 861 puseve, niveli më i lartë që nga marsi i vitit 2015.
Gjatë fundjavës, ndërkohë, ministri arab i naftës deklaroi se është i nevojshëm bashkëpunimi me OPEC dhe Rusisë për të balancuar raportin kërkesë-ofertë. Zyrtarisht, OPEC, Rusia dhe vendet e tjera që nuk janë pjesë e organizatës do të takohen më 22 qershor në Vjenë për të përcaktuar politikat e naftës.
Lidon Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.