Rritja e çmimit të bukës – Peshkëpia: Asnjë përgjigje për faturat e energjisë, rritja sipas furrave
“Kohët e fundit kemi pasur problem të tilla që na është rritur çmimi i energjisë elektrike duke bërë që edhe neve të mos e përballojmë kostot që kemi në biznesin tonë. Kostoja e energjisë është rritur. Këtu kam edhe faturat, do me thënë kemi faturat e Marsit që është me 7.6 dhe kjo tjetra e Prillit të 2018-ës, 14 lekë “, u shpreh Euglen Mërkuri, prodhues buke.
Prodhuesit e bukës e konsiderojnë të pashmangshëm rritjen e çmimit të bukës, në kushtet kur kërkesat e tyre për faturimet e energjisë elektrike nuk po marrin përgjigje nga ana e institucioneve shtetërore. Në një intervistë për TV SCAN, kreu i shoqatës Gëzim Peshkëpia thotë se nuk ka një përllogaritje të saktë të rritjes, pasi ajo do të jetë individuale sipas furrave.
“Ministria të ndërhyjë ose të marrë hapat e nevojshme. Në radhë të parë për ta qetësuar situatën se 400, 500 furra të cilat e paguajnë energjinë elektrike me 140 lekë kilovatin. E dyta, furrat të cilat janë pa bazë frigoriferike të vazhdojnë të trajtohen me çmimin 7.6 që është vendimi i ERE-s. Furrat të cilat kanë një bazë frigoriferike tregtuese gjithmonë, jo prodhuese të trajtohen me një çmim të diferencuar. Propozimi jonë mbi bazën e gjendjes reale të furrave është që 90% e energjisë të tarifohet me subvencionin 7.6 dhe 10% të trajtohet me 140 lekë”, tha Peshkëpia.
Peshkëpia ripërsëriti edhe njëherë kërkesën që për furrat e bukës që kanë frigorifer, 90% e faturës së energjisë të paguhet me çmimin 7.6 lekë/kë, ndërsa 10% e saj të paguhet me çmimin 14 lekë/kë.
“Rritja e energjisë elektrike do të ketë ndikim në çmimet e produkteve tona. Nuk kemi bërë përllogaritje sepse përllogaritjet janë individuale. Dikush e ka pronë të vetën, dikush e ka me qira, dikush ka marrë kredi, dikush ka një treg që e kërkon dhe ka rritje çmimi, dikush ka një treg paksa më të varfër. Pra, këto janë kërkesa dhe studime të vetë furrës së bukës”, shtoi më tej Peshkëpia.
Përveç rishikimit të faturimeve, prodhuesit e bukës kërkojnë edhe rishikim të nivelit të TVSH-së. Aktualisht ajo është 20%, ndërkohë që sipas tyre në vendet e rajonit dhe Evropës ajo varion nga 0-10%.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.