Nafta, java fillon në rënie – Investitorët, në pritje të mbledhjes së OPEC
Çmimet e naftës e kanë filluar javën në rënie, me naftën bruto amerikane që është tërhequr lehtë nga niveli më i lartë në 2 vitet e fundit, të regjistruar të premten. Megjithatë, humbjet po kufizohen pasi OPEC dhe vendet e tjera prodhuese të naftës pritet të shtyjnë marrëveshjen për uljen e prodhimit përtej marsit të vitit të ardhshëm.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 63.6 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 58.5 dollarë për fuçi. Prodhimi i naftës në Shtetet e Bashkuara është rritur me 15% që nga mesi i vitit 2016, në një mesatare prej 9.66 milionë fuçi në ditë, jo shumë larg dy prodhuesve më të mëdhenj në botë, Arabisë Saudite dhe Rusisë.
Gjatë javës së kaluar, kompanitë amerikane të energjisë kanë rritur aktivitetin e shpim-kërkimit, për herë të parë që nga korriku i këtij viti.
Gjatë muajve të fundit, çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm, falë përpjekjeve të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës dhe vendeve të tjera prodhuese, me në krye Rusinë, për të kufizuar prodhimin.
OPEC do të takohet në ditën e enjte për të diskutuar politikat e ardhshme të naftës dhe shumica e analistëve mendojnë se do të ketë marrëveshje për shtyrjen e uljes së prodhimit, pavarësisht shenjave të hezitimit nga Rusia. Ministri rus i Energjisë, Alexander Novak, deklaroi se, më 30 nëntor do të diskutohet detajet e shtyrjes së marrëveshjes, por nuk përmendi periudhën e shtyrjes.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.