Nafta, sesioni i tretë me radhë në rënie / Çmimet, nën presion nga dështimi i OPEC+ për të arritur një marrëveshje
Nafta po qëndron në rënie për të tretin sesion me radhë, për shkak të shqetësimeve se prodhimi mund të rritet ndjeshëm, sidomos pas dështimit të OPEC+ për të arritur një marrëveshje mbi kuotat e prodhimit. Analistët shprehen se, me shumë mundësi, marrëveshja për uljen e prodhimit do të braktiset. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 73 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 71.6 dollarë për fuçi. Që nga dita e hënë, çmimet e naftës kanë humbur mbi 5% të vlerës, pas dështimit të bisedimeve mes Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e tjerë, me në krye Rusinë, pasi Arabia Saudite refuzoi kërkesat e Emirateve të Bashkuara Arabe për të rritur prodhimin. Që kur filloi kriza e koronavirusit OPEC+ e ka zbatuar në mënyrë rigoroze marrëveshjen për uljen e prodhimit. Megjithatë, Rusia po përpiqet të negociojë mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshje mbi kuotat e prodhimit. Ndër zhvillimet e tjera, çmimet kanë gjetur një mbështetje të lehtë nga rënia e rezervave të naftës në SHBA. Sipas të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës, rezervat ranë me 8 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 2 korrik, ndërsa analistët parashikonin një rënie me 4 milionë fuçi. Investitorët po presin të dhënat zyrtare që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme, nga Administrata për Informimin mbi Energjinë. Në anën tjetër, çmimet po gjenden nën presion edhe nga shqetësimet mbi pandeminë, pas vendimit të Japonisë që deklaroi gjenden e emergjencës në Tokio deri më 22 gusht.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.