Nafta tregtohet e qendrueshme – Çmimet nën presion për shkak të rritjes së rezervave në SHBA
Çmimet e naftës po ndryshojnë minimalisht, gjatë sesionit të sotëm, por po gjejnë një mbështetje të lehtë nga trazirat në Venezuelë. Uashingtoni sinjalizoi se mund të vendosë sanksione të tjera ndaj eksporteve të naftës të Venezuelës, pasi ky vend është zhytur më tej në trazira politike dhe ekonomike. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 60.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 53 dollarë për fuçi.
Për shkak të protestave të dhunshme në rrugët e kryeqytetit, lideri i opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, u vetëshpall president i përkohshëm, më herët gjatë javës, duke marrë edhe mbështetjen e Uashingtonit. Ky e detyroi presidentin në detyrë të Venezuelës, Nicolas Maduro, të shkëpusë marrëdhëniet me SHBA. Megjithatë, tregu global i naftës vijon të jetë i mbifurnizuar, kryesisht për shkak të rritjes së prodhimit në SHBA, që aktualisht gjendet në 11.9 milionë fuçi në ditë.
Analistët mendojnë se, prodhimi rekord në SHBA do të eklipsojë rënien e eksporteve nga Venezuela. Ndërkohë, banka britanike, Barclays uli parashikimin për çmimin mesatar të naftës Brent në 70 dollarë për fuçi, gjatë këtij viti, nga 72 dollarë që ishte vlerësimi i mëparshëm. Rritja e prodhimit në SHBA ka bërë që të rriten edhe rezervat. Referuar të dhënave zyrtare, rezervat e benzinës u rritën me 4.1 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 18 janar, në një rekord prej 259.6 milionë fuçi. Ndërsa rezervat e naftës bruto u rritën me 8 milionë fuçi, gjatë së njëjtës periudhë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.