Nafta tregtohet e qëndrueshme – Sanksionet ndaj Iranit kompensohen nga dollari i fortë
Çmimet e naftës po ndryshojmë minimalisht në sesionin e sotëm, pasi investitorët janë të paqartë mbi efektet që do kenë sanksionet amerikane ndaj Iranit, të cilat do të hyjnë në fuqi në datën 4 nëntor. Në anën tjetër, forcimi i dollarit amerikan ka kufizuar fitimet.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 84.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 75.2 dollarë për fuçi. Tregtarët shprehen se, tregjet globale të naftës janë të tensionuar pikërisht për shkak të sanksioneve amerikane ndaj Iranit.
Më herët gjatë javës, dy bençmarkët kryesorë prekën nivelin më të lartë që nga nëntori i vitit 2014. Por, pavarësisht kësaj tregtarët shprehen se, fitimet po kufizohen nga dollarit i fortë, që i bën importet më të shtrenja për vendet që përdorin monedhat e tjera. Referuar të dhënave jozyrtare në SHBA, rezervat komerciale u rritën me 907 mijë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 28 shtator, në totalin e 400.9 milionë fuçive.
Në anën tjetër, prodhimi në Amerikë është rritur me rreth 1/3-ën që nga mesi i vitit 2016, dhe gjendet aktualisht në 11.1 milionë fuçi në ditë. Analistët parashikojnë se, deri në fund të këtij viti, prodhimi në SHBA do të rritet në rreth 11.3 milionë fuçi në ditë. Kjo do të thotë se, Amerika do të sfidojë Rusinë, që është prodhuesi më i madh në botë i naftës. Në kahun e kërkesës, konsumi i karburanteve është i lartë, sidomos në ekonomitë aziatike në zhvillim.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.