Nafta zgjeron fitimet – Çmimet mbështeten nga SHBA dhe OPEC
Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje edhe në sesionin e sotëm dhe janë mbështetur nga një raport që parashikon se, prodhimi në SHBA do të rritet me një hap më të ngadaltë se vlerësimet e mëparshme. Edhe sanksionet amerikane ndaj Venezuelës po mbështesin çmimet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 66.9 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 57.3 dollarë për fuçi.
Administrata amerikane për Informimin mbi Energjinë deklaroi se prodhimin në SHBA parashikohet të rritet me një hap më të ngadaltë gjatë këtij viti, në një mesatare prej 12.3 milionë fuçi në ditë. Gjithashtu, agjencia rishikoi në rënie projeksionet për prodhimin në vitin 2020, në 13.03 milionë fuçi në ditë, nga 13.2 milionë që ishte vlerësimi i mëparshëm. Gjithashtu, të dhënat e publikuara nga Instituti Amerikan i Naftës treguan një rënie surprizë të rezervave, gjatë javës së kaluar.
Megjithatë, investitorët po presin të dhënat zyrtare që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme. Në anën tjetër, Arabia Saudite, që është eksportuesi më i madh i naftës në botë, deklaroi të hënën se do të ulë më tej eksportet gjatë prillit. Ndërkohë, Banka Kombëtare e Australisë ofroi një panoramë mikse për tregun e naftës, për shkak të ngadalësimit të ekonomisë globale dhe rritjes së prodhimit në SHBA, që mund të dëmtojnë përpjekjet e OPEC për të mbështetur çmimet duke ulur prodhimin.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.