Ndryshon ora – Të dielën, akrepat lëvizin 60 minuta prapa
Duke filluar nga dita e Dielë, akrepat e orës do të lëvizin 60 minuta prapa, duke u kthyer në njehsimin dimëror të kohës. Në orën 03.00 të mëngjesit, akrepat do të kthehen 60 minuta prapa dhe do të tregojnë orën 02:00.
Ndërrimi i orës është një procedurë që bëhet zyrtarisht me vendim qeverie, dy herë në vit, gjatë muajve Tetor dhe Mars, të Dielat e fundit të tyre. Ndryshimi i orës bëhet për shkak të kursimit të energjisë elektrike, me qëllim të shfrytëzimin më të madh të energjisë diellore. Ndërrimi i tillë i orës e ka fillesën në shekullin XVIII, kur Benjamin Franklin hodhi idenë e kohës që ndjek diellin.
Në atë kohë, ideja nuk ishte shumë e përhapur, sepse kursimet ishin të pakta. Në vitin 1907, kjo teori u përmend sërish nga britaniku William Willet, ndërsa në vitin 1916 Britania votoi që të bëhet lëvizja e akrepave një orë përpara gjatë muajve të verës.
Ky ndryshim u bë standard që nga viti 1974, pas krizës së parë të madhe të naftës. Në Europë, ndryshimi u vendos në vitin 1981, ndërsa në vitin 2001, Bashkimi Europian vendosi që duke filluar nga viti 2002 ora të ndërrohet të Dielën e fundit të Tetorit dhe të Dielën e fundit të Marsit. U zgjodh dita e Diel për t’i lejuar njerëzve të mësohen me orën e re dhe për të evituar vonesën ose mbërritjen më shpejt në punë.
Por, jo të gjitha vendet e botës adoptojnë orën ligjore dhe mbajnë gjithmonë orën diellore. Një ndër këto vende është edhe Japonia, ku gjatë luftës së Dytë Botërore, ushtarët amerikanë e imponuan përdorimin e orës ligjore, por u hoq shumë shpejt nga autoritetet, pavarësisht se hasi në kundërshtimin e fortë të fermerëve japoneze.
Kalimi sërish në orën ligjore do të bëhet në ditën e Diel, më 25 Mars të vitit 2018, dhe akrepat do të lëvizin një orë para.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.