Nën mësymjen e kreditorëve – “Serenissima”, 9 urdhra ekzekutimi në gusht për borxhet
Pas prishjes së kontratës me Autoritetin Rrugor Shqiptar për ndërtimin e by pass-eve të Fierit e të Vlorës, kompania Serenissima Costruzioni është vënë nën mësymje nga furnitorët e saj për shkak të borxheve të pashlyera.
Televizioni SCAN ka mësuar se vetëm gjatë muajit gusht janë lëshuar të paktën 9 urdhra ekzekutimi nga kompani të ndryshme përmbarimore për fatura të papaguara nga “Serenissima”. Faturat arrijnë në disa dhjetëra mijëra dollarë secila.
Në listën e gjatë të subjekteve që i kërkojnë borxhet “Serenissima-s” është edhe Administrata Doganore, ku kompania rezulton debitore me shumën afro 80 mijë dollarë.
Gjatë tre muajve të fundit janë zhvilluar të paktën tre ankande për llogari të furnitorëve të cilat “Serenissima Costruzioni” nuk i paguante prej kohësh.
Në dy ankande janë shitur nga kompanitë përmbarimore vinçat, makineritë, pajisjet e thërrmimit, deri dhe mjetet e transportit të kompanisë italiane. Në një ankand tjetër janë shitur një sasi e konsiderueshme tubash të kompanisë.
Në prill të këtij viti, Autoriteti Rrugor Shqiptar anuloi në mënyrë të njëanshme kontratat e lidhur me kompaninë italiane “Serenissima Construzioni”. Shkak u bë zvarritja e punimeve përtej parashikimeve në kontratë të të dy bypass-eve gjë që u konsiderua e patolerueshme nga autoritetet shqiptare.
Por ndërsa gjendet në mësymjen e një liste të gjatë kreditorësh, “Serenisma” vazhdon të shfaqet me statusin aktiv në Qendrën Kombëtare të regjistrimit.
Administratore e kompanisë rezulton shtetasja italiane Gabriella Maria Costantini, ndërkohë që kapitali i shoqërisë është vetëm 5.4 milionë lekë.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.