Ngadalësohet aktiviteti i fabrikave – Përhapet në të gjithë botën. Kërcënon ekonominë
Aktiviteti i fabrikave rezultoi në nivelin më të ulët në vite për pjesën më të madhe të botës gjatë Janarit, duke shtuar shqetësimet se përplasjet tregtare, pasiguria politike dhe ngadalësimi i kërkesës po rrit rreziqet ndej ekonomisë botërore.
Të dhënat e dobëta për sektorin privat, të publikuara nga kompania që ndërmerr sondazhe Markit, përforcojnë pritshmëritë se Bankat Qendrore do të ndalojnë rritjen e interesave për këtë vit dhe se ekonomia botërore pritet të ngadalësohet. Azia duket se po pëson humbjen më të madhe të vrullit deri më tani, ndërkohë që aktiviteti në Kinë është tkurrur.
Eurozona është goditur nga protestat në Francë, ngadalësimi i sektorit të makinave, përplasjet politike dhe proteksionizmi tregtar. Aktiviteti i manifakturës në Europë rezultoi në nivele të ulëta gjatë muajit.
Në Gjermani, sektori i manifakturës u tkurr për të parën herë në më shumë se 4 vite, ndërkohë që superfuqia e Europës u godit nga tensionet tregtare.
Javën e kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar uli projeksionet për ekonominë botërore në këtë vit edhe tjetrin dhe shtoi se tensionet tregtare do të përkeqësojnë ngadalësimin e ekonomisë.
Këtë javë, Rezerva Federale në SHBA bëri të ditur se cikli tkurrës monetar mund të ketë arritur fundin. Pekini po përpiqet të shtojë stimujt monetar dhe të gjejë një kompromis me SHBA, për të parandaluar përkeqësimin e luftës tregtare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.