Ngadalësohet inflacioni në Eurozonë – Rritet me vetëm 1.3% në Mars, vështirëson detyrën e BQE
Inflacioni në Eurozonë është rritur me një normë më të ngadaltë se sa u vlerësua më parë për muajin Mars, duke vështirësuar punën e politikëbërësve të Bankës Qendrore Europiane në heqjen e stimujve monetarë.
Çmimet e konsumit në 19 vendet që ndajnë euron u rritën me vetëm 1.3% në Mars, tregon zyra e statistikave e Bashkimit Europian, poshtë vlerësimit fillestar prej 1.4%.
Rishikimi është ende sipër vlerësimit prej 1.1% në muajin Shkurt. Inflacioni bazë, që heq komponentët e luhatur si ushqimi dhe energjia, qëndroi në 1% për të tretin muaj radhazi.
Çmimet e ushqimit të papërpunuar u rritën me 0.8% në Mars, ndërsa shërbimet dhe energjia janë ngadalësuar nga muaji i kaluar.
Ndërkohë, inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar, është ngadalësuar në nivelin më të ulët në 1 vit gjatë Marsit, duke ngritur dyshime mbi ndërhyrjen e Bankës së Anglisë në muajin e ardhshëm.
Inflacioni u ngadalësua në 2.5% nga 2.7% që ishte në Shkurt. Sipas zyrës së Statistikave në Londër, inflacioni arriti majën në muajin Nëntor, kur preku 3.1%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.