Një “oaz” i shëndetshëm në Brazil / Në Serrana vdekjet bien me 95% pas vaksinimit të të gjithë të rriturve
Serrana, një qytet në juglindje të Sao Paulo, në Brazil, ka patur një rënie me 95% të vdekjeve nga Covid-19, pasi ka vaksinuar thuajse të gjithë të rriturit, sipas mediave lokale. Me 45,000 banorë, Serrana përbën një oaz të shëndetshëm në Brazil, që ka numrin e dytë më të madh të vdekjeve në botë, në 461,000 deri më tani dhe një ritëm të ngadaltë të imunizimit prej mungesës së vaksinave. Qyteti ka qenë subjekt i një studimi nga instituti Butantan, që prodhon vaksinën Coronavac, të zhvilluar nga kinezja Sinovac në Brazil. Kur nisi vaksinimi, qyteti kishte një rritje të rasteve, por përhapja e virusit u përmbajt pasi 75% e popullsisë u imunizua, sipas shkencëtarëve. Shkencëtarët e ndanë qytetin në 4 zona për të kuptuar kufirin e përmbajtjes së virusit dhe zbuluan se kontrollohej pasi 3 zona morën dozën e dytë. Numri i rasteve simptomatike ra me 80% dhe shtrimi në spitale me 86%. Vdekjet nga Covid tanë me 95%, sipas të dhënave nga Butantan. Serrana është rrethuar nga qytete që kanë regjistruar rritje të madhe të rasteve me Covid. Një eksperiment i ngjashëm është duke u zhvilluar në një tjetër qytet në Sao Paulo. Botucatu pret të imunizojë pjesën më të madhe të 148,000 banorëve me vaksinën e AstraZeneca.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.