Një shkrim për gazetarët / ”Ka edhe lajme të mira” – Si të luftoni stresin këto ditë intensive të raportimit mbi pandeminë COVID-19
Gazetarët janë të stresuar nga ky mbulim pa ndalesë i COVID-19. Këto kohë, gazetarët e kalojnë tërë ditën duke biseduar me ekspertë të cilët paralajmërojnë se më e keqja nuk ka ardhur akoma dhe me njerëz që shqetësohen se si të mbajnë veten dhe familjen e tyre të shëndetshme.
Ndaj, një psikiatre e specializuar në traumat e gazetarëve, ka përgatitur një listë me hapat që kushdo, e specifikisht gazetarët mund të ndjekin për të qenë më pak të stresuar në këto ditë të vështira.
- Duhet vazhdimisht të shkëputeni një periudhë të ditës nga lajmet, e sidomos nga lajmet që kanë të bëjnë me koronavirus. Jepini vetes mundësinë të mendoni dhe për gjëra të tjera.
- Përpiquni të flini mirë natën. Mos mendoni vetëm për virusin. Fikeni celularin para se të shkoni në krevat, për të maksimizuar mundësinë për një gjumë të mirë dhe çlodhës.
- Një ndër gjërat që shkakton truamë është përsëritja. Kështu mundohuni të thyeni ciklin e vazhdimësisë së lajmeve të këqija apo atyre mbi koronavirus. Ka dhe lajme të tjera! Në një moment të ditës gjeni kohën të fokusoheni edhe tek lajmet e mira!
- Mundohuni që gjatë punës suaj të mbani me vete diçka që ju kujton normalitetin. Mund të jetë një foto e qenit, e familjes, një gur që e keni marrë në plazhin ku ishit verën e kaluar etj. Rëndësi ka që të mos e shkëpusni nga mendja idenë se normaliteti nuk është larg.
- Mos harroni asnjëherë që puna juaj mund të jetë shumë e vështirë, por prodhon fryte të mira! Mendoni gjithnjë se misioni juaj është jo vetëm thelbësor, por dhe i mirë. Kjo do t’u japë një pikëpamje që ju çliron nga stresi. Kështu ndodh me të gjithë kur kuptojnë se puna e tyre vlen shumë!
- Mos prisni nga shefi juaj t’iu pyes nëse doni disa ditë pushim. Shkoni ju tek ai dhe kërkojini një pushim. Do t’iu ndihmojë të shkoni në punë me energji të reja.
- Këshilla e fundit dhe ndoshta më e rëndësishmja është që të flisni përherë me të dashurit tuaj. Ndonjëherë një oaz dashurie është gjithçka duhet për të luftuar me rrethanat e një krize!
D.B – SCAN
Burimi: Poynter, institut i studimeve mediatike dhe organizatë jofitimprurëse e përqendruar në kërkimin shkencor.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.