Operacioni “Këmbyesit” – Policia sekuestron 11 mijë euro të falsifikuara
Policia e Elbasanit nëpërmjet operacionit të koduar “Këmbyesit” ka sekuestruar 11 mijë euro të dyshuara të falsifikuara, dhe ka arrestuar tre të dyshuar.
“Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: L. D, 41 vjeç banues në Tiranë, I dënuar më parë për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”. A. Rr, 23 vjeç banues në Mamurras Laç dhe me banim të përkohshëm në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim e mbajtje të lëndëve narkotike”. N. M, 19 vjeçe banuese në fshatin Dufshan, Njësia Administrative Pishaj, Gramsh, me banim të përkohshëm në Tiranë.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Arrestimi i tyre, u bë pasi në bashkëpunim me njëri – tjetrin, në pikën Exchange të shtetasit me iniciale N.K, në qytetin e Gramshit, kanë këmbyer 3 kartmonedha, me prerje 100 Euro secila të cilat dyshohet se janë false. Menjëherë me marrjen e informacionit, janë organizuar shërbimet dhe në afërsi të fshatit Gostimë, është ndaluar mjeti tip “Peugeot” me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur.
Hetimet vazhdojë, për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Falsifikimi i monedhave, i kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 183/2 i Kodit Penal.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.