Stuhitë godasin prodhimin në SHBA – Prodhimi industrial bie ndjeshëm, konsumi ngadalësohet gjithashtu
Prodhimi industrial dhe shitjet me pakicë në Shtetet e Bashkuara patën rënie në muajin Gusht, me prodhimin që arriti në nivelin më të ulët që prej vitit 2009, ndërkohë që Uragani Harvey ndërpreu aktivitetin.
Kjo tregon se stuhia mund të ndikojë te rritja ekonomike në tremujorin e tretë. Harvey, që goditi Teksasin në javën e fundit të muajit Gusht, ka ndikuar gjithashtu te tregu i punës.
Uragani tjetër Irma, që goditi Floridën 1 javë më parë ka gjasa të ndikojë gjithashtu te ekonomia e Shteteve të Bashkuara. Departamenti i Tregtisë raportoi se shitjet me pakicë ranë me 0.2% në muajin e kaluar, që është rënia më e madhe në 6 muaj, prej shitjes së dobët të automjeteve, materialeve të ndërtimit, pajisjeve elektronike dhe veshjeve.
Edhe pse Harvey ka ndikuar te konsumi në muajin e kaluar, të dhënat për Korrikun dhe Qershorin janë rishikuar në rënie, duke treguar një ngadalësim të shpenzimeve konsumatore në tremujorin e tretë.
Konsumi privat, që përbën për rreth 2/3-tat e aktivitetit ekonomik në SHBA, u rrit me 3.3% në tremujorin e dytë, duke nxitur Produktin e Brendshëm Bruto në një normë prej 3% gjatë periudhës.
Të dhëna të tjera treguan se prodhimi industrial ra me 0.9% gjatë Gushtit, që është rënia më e madhe që prej muajit Maj 2009. Zyrtarët e Rezervës Federale bënë të ditur se rreth 0.75% e kësaj rënieje erdhi nga efektet e stuhive.
Ekonomistët presin që prodhimi industrial të vazhdojë rënien në Shtator, prej ndikimeve të uraganit Irma.
Të dhënat e dobëta mbi shitjet dhe prodhimin industrial bënë që zyrtarët e Rezervës Federale të ulin projeksionet për rritjen ekonomike në tremujorin e tretë, në 2.2% nga 3% që vlerësonin më parë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.