Pajisje të reja për zjarrfikëset – Veliaj: Rehabilitim disa stacioneve të tjera të këtij shërbimi
Shërbimi Zjarrfikës i Tiranës është pajisur me bazë të re materiale, si uniforma, fikëse zjarri dhe mjete ndihmëse, të cilat do të lehtësojnë punën për menaxhimin e situatave emergjente që mund të shfaqen në të ardhmen. Kryebashkiaku Erion Veliaj, theksoi se falë përmirësimit të pajisjeve dhe të kushteve të punës, përmes kontributit të qeverisë turke, shërbimi zjarrfikës do e ketë shumë herë më të lehtë për të përballuar me sukses stinën e verës për menaxhimin e rasteve të zjarreve.
“Shpresoj që e kemi bërë punën pak më të lehtë falë kësaj ndihme dhe do të thosha që me mjetet e reja do kemi mundësi që, siç përballuam dimrin me sukses, të përballojmë me sukses edhe stinën e verës. Kemi sot bombula oksigjeni, kemi pompa krahu, sidomos për zonat pyjore ku kemi pasur shumicën e zjarreve gjatë stinës së verës”.
Krahas pajisjeve të reja, Bashkia e Tiranës do të rehabilitojë disa prej stacioneve të shërbimit zjarrfikës në zona të ndryshme të qytetit, me qëllim shkurtimin e kohës së përgjigjes ndaj qytetarëve duke u ardhur në ndihmë më shpejt.
“Më vjen mirë që sot kemi rritur standardin. Do të fillojmë tani me rehabilitimin e disa stacioneve të tjera që të jenë pak a shumë në të njëjtën gjendje”.
Më pas, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe përfaqësuesit e ambasadës turke dhe të TIKA-s në Tiranë morën pjesë në mbjelljen e 250 pemëve të reja përgjatë Unazës së Madhe.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.