Paundi i drejtohet “fundit” – Rënia 4-ditore ngjason me 2016-ën. Shqetëson “hard Brexit”
Paundi britanik i’u drejtua rënies më të madhe që prej referendumit, ndërkohë që shqetësimet në tregje mbi daljen pa marrëveshje janë shtuar. Paundi ka rënë me 3% në katër ditët e fundit, ndërkohë që investitorët presin një dalje të ashpër nga Bashkimi Europian më datë 31 Tetor. Ndërkohë që ndasitë mbi mënyrën e daljes janë shtuar, Kryeministri Boris Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar do të përpiqet të negociojë një marrëveshje më të mirë me Bashkimin Europian dhe paralelisht do të përgatitet për “hard Brexit” nëse bisedimet dështojnë.
Paundi ra në 1.2119 kundër dollarit amerikan dhe në 91.64 pensë për euro, në tregtinë e ditës së Martë. Hera e fundit kur valuta pësoi këtë rënie të madhe katër ditore ishte në Tetor 2016, ku preku 1.1841 kundër dollarit në një periudhë fare të shkurtër. Sipas analistëve, paundi pritet të rikthehet në nivelet e pas-referendumit. Tregjet do të vëzhgojnë edhe vendimin e Bankës së Anglisë më vonë gjatë javës. Pritshmëritë për uljen e normës bazë të interesit janë shtyrë për në Dhjetor, prej shqetësimeve të daljes pa marrëveshje nga Europa.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.