Përmbytet Japonia – Shirat e rrëmbyeshëm godasin vendin pas tajfunit Hagibis
Moti i keq ka mbërthyer Japoninë prej javësh. Bilanci i viktimave si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm që kanë përfshirë një pjesë të madhe të vendit është ngjitur në 8, ndërkohë që të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Këto shira vijnë vetëm 2 javë pasi vendi u godit nga një tajfun mjaft i fuqishëm, më i fuqishmi ndër dekada. Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar probleme serioze në zonat ku ka goditur me më shumë intensitet, si në Chiba.
Mijëra shtëpi janë pa ujë, ndërkohë që dalja nga shtrati e disa lumenjve i ka bërë disa rrugë të pakalueshme.
Në rajonin e Chibas vlerësohet se kanë rënë 283 mm shi në vetëm 12 orë. Autoritetet kanë nxjerrë urdhrat e evakuimit në shumë zona të vendit, ndërkohë që për disa prej tyre alarmi është edhe më i madh, pasi bëhet fjalë për disa zona që janë prekur rëndë edhe nga tajfuni Hagibis, që la pas 88 të vdekur, 7 të humbur, mbi 300 të plagosur dhe vetëm shkatërrim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.