Përmirësimi i ujësjellës – kanalizimeve – Bashkia e Tiranës nënshkruan marrëveshjen me AKUK
Bashkia e Tiranës është institucioni i parë vendor që ka nënshkruar sot marrëveshjen me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës – Kanalizimeve me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve. Përmes kësaj marrëveshje e cila u firmos nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe drejtori i AKUK, Arben Skënderi në prani edhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, synohet përmirësimi i mëtejshëm i performancës së UKT-së në furnizimin me ujë të pijshëm të qytetarëve.
Veliaj tha se pas kësaj marrëveshje, Bashkia e Tiranës do të përkushtohet në rritjen e arkëtimeve, modernizimin e shërbimeve, rritjen e investimeve si dhe disiplinimin e kundërvajtësve, duke cilësuar si abuzuesit më të mëdhenj bizneset e mëdha.
“Kemi filluar me bizneset e mëdha, që ndonjëherë janë edhe abuzuesit më të mëdhenj, duke qenë se kanë edhe më shumë të ardhura, e më pas do të kalojmë në nivelin familjar”, u shpreh ai.
Ai u bëri apel të gjithë kolegëve të tij në bashkitë e tjera të vendit që të marrin masat e nevojshme për disiplinimin e ujit të pijshëm.
“Ne si bashki jemi siguruar që të paguajmë detyrimet, që stafi ynë i paguan detyrimet. Asnjë staf i Bashkisë së Tiranës nuk vazhdon dot punën dhe nuk merr rrogën nëse nuk ka paguar faturën e ujit. Besoj kjo është një mënyrë për të drejtuar me shembull dhe pastaj për të kërkuar që ky shembull të ndiqet edhe nga qytetarët e tjerë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, ministri Gjiknuri tha se suksesi i këtij aksioni varet nga nisma dhe vullneti i plotë i të gjitha bashkive të Shqipërisë.
“Bashkitë janë pjesë integrale e kësaj reforme. Nuk mund të ketë sukses nëse vetë kryetarët e bashkive dhe ndërmarrjet mos ta marrin seriozisht këtë gjë. Uji, sa pasuri lokale, është edhe pasuri kombëtare. Është një pasuri e cila i kushton buxhetit të shtetit. Vetëm me nismën dhe vullnetin e plotë të të gjitha bashkive të Shqipërisë ky aksion do të ketë sukses.”
Sipas Gjiknurit, rritja e arkëtimeve si dhe shëndoshja financiare e të gjithë sistemit të ujësjellës – kanalizimeve do të sjellin investime në këtë sektor.
Lidhur me afatin e fundit për formalizimin e ujit të pijshëm, që është edhe data 28 shkurt, Veliaj tha se bashkia e Tiranës do të shfrytëzojë maksimalisht afatin në mënyrë që qytetarët të bëjnë lidhjen e kontratave në mënyrë vullnetarë, duke shmangur kështu forcën e ligjit.
G.D/SCAN
Performanca e ujësjellësve, MIE miraton indikatorët – Faturimet të rriten me 30%, shtim kontratash dhe investime të detyruara
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.