Pfizer për moshat mbi 16 vjeç – Synohet shtimi i vaksinimit në të gjithë SHBA
Një panel këshillues pranë Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandoi unanimisht vaksinën e Pfizer dhe BioNTech për personat e moshës mbi 16 vjeç, një hap i rëndësishëm që mund të ndihmojë në përshpejtimin e vaksinimit në Shtetet e Bashkuara. Administrata e Ushqimit dhe Barnave javën e kaluar dha miratimin e plotë për vaksinën që ishte më parë e disponueshme nën autorizimin e përdorimit urgjent të agjencisë, e cila kishte lejuar që dozat të shpërndaheshin me shpejtësi te amerikanët.
Zyrtarët e shëndetësisë shpresojnë se miratimi formal dhe rekomandimi i CDC do të nxisin më shumë amerikanë që të vaksinohen. Me miratimin e plotë të FDA-së, disa kompani dhe shtete kanë filluar të mandatojnë vaksinimin kundër COVID-19. Shkalla e vaksinimit mbetet e ulët në shumë pjesë të Shteteve të Bashkuara, duke kontribuar në një rritje të madhe të shtrimeve në spital për shkak të variantit shumë ngjitës Delta të koronavirusit.
Disa anëtarë të panelit këshillues thanë se rritja e vaksinimeve para sezonit të vjeshtës ishte kritike për kthimin e sigurt të fëmijëve në shkolla. Rregullatorët kanë autorizuar një dozë të tretë të vaksinave Pfizer/BioNTech dhe Moderna për personat me sistem imunitar të dobët dhe qeveria amerikane ka thënë se planifikon që të shtojë dozat përforcuese për më shumë amerikanë në shtator.
Stafi i CDC paraqiti të dhënat në dispozicion për nevojën për nxitës dhe deklaroi se, në këtë pikë mund të jetë e vështirë të përcaktohet nëse imuniteti nga vaksinimi paraprak po zvogëlohet me kalimin e kohës, ose nëse vaksinat janë thjesht më pak të afta për të parandaluar infeksionin nga varianti Delta shumë i transmetueshëm.
Disa anëtarë të panelit shprehën shqetësim në lidhje me njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për një politikë përforcuese që fillon në shtator, edhe para se paneli këshillues i vaksinave të kishte parë provat ose të përcaktonte se një fushatë e tillë ishte e nevojshme. Anëtarët e grupit të punës këshillues për vaksinat, theksuan se përparësia kryesore e Shteteve të Bashkuara mbetet marrja e injeksioneve tek të pavaksinuarit.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.