Platini rritet në nivel rekord / Optimizmi mbi ekonominë, rrit metalin në nivelin më të lartë në 6 vite
Çmimet e platinit kanë vazhduar rritjen këtë javë duke prekur nivelin më të lartë në mbi 6 vite, prej pritshmërive të investitorëve mbi rimëkëmbjen ekonomike, që do nxisë kërkesën për metalin.
Platini, i përdorur në industrinë e makinave për të filtruar ndotjen nga shkarkimet e motorrit, u rrit në nivelin më të lartë që prej Janarit 2015, në 1,285.17 dollarë për onz. Analistët thonë se rimëkëmbja ekonomike, përfshirë rritjen e kërkesës për stoli në Kinë dhe rënies së ofertës nga Afrika e Jugut si pasojë e Covid, po rrisin çmimet.
Platini mund të pësojë defiçitin e tretë radhazi vjetor në 2021, sipas specialistëve. Përpjekja e administratës së Joe Biden në SHBA për politika të gjelbra si dhe shtrëngimi i rregullave të ndotjes nga industria e makinave, po rrisin gjithashtu çmimet.
Problemet operacionale tek Anglo American Platinum, që është një prej prodhuesve më të mëdhenj në botë, ka ndikuar tek defiçiti në ofertë vitin e kaluar. Nga ana tjetër, ari u tërhoq në nisje të javës, pas nivelint më të lartë në 11 muaj që preku ditën e Premte. Analistët thonë se statusi i arit si aktiv i sigurt nuk po reziston si dikur, ndërkohë që po shtohet optimizmi tek rimëkëmbja ekonomike.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.