Presidenti francez Macron kërkon projekt të ri për mbrojtjen e BE
Presidenti francez Emmanuel Macron, lajmëroi për një projekt të ri të mbrojtjes europiane, duke thënë se siguria e kontinentit nuk duhet të mbështetet aq shumë në Shtetet e Bashkuara.
Në një fjalim për ambasadorët francezë në Paris, Macron tha: “Europa nuk mund të mbështetet vetëm tek Shtetet e Bashkuara për sigurinë e saj. Është në dorën tonë të përmbushim përgjegjësitë tona dhe të garantojmë sigurinë tonë dhe sovranitetin Europian”.
Ai tha se diskutimet mbi bashkëpunimin e mbrojtjes duhet të shtrihen në të gjitha vendet Europiane dhe në Rusi, me kusht që të bëhet përparim me Moskën në luftimet në Ukrainën lindore. Franca po ushtron trysni për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e paqes të Minskut 2015, që u sponsorizua nga Franca dhe Gjermania për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, i cili ka vrarë të paktën 10,000 njerëz që nga viti 2014.Që nga zgjedhja e tij në maj të 2017-ës, lideri 40-vjeçar ka bërë thirrje për një Bashkim Europian më të integruar, me një buxhet të përbashkët europian të mbrojtjes dhe sigurisë.
Në nëntor, vendet e BE-së zyrtarisht filluan një epokë të re në bashkëpunimin e mbrojtjes me një program investimesh të përbashkët ushtarake dhe zhvillim të projekteve që synonin të ndihmonin BE të përballeshin me sfidat e sigurisë. Njëzet e tre prej 28 vendeve anëtare të BE nënshkruan procesin, i njohur si bashkëpunimi i përhershëm i strukturuar, ose PESCO. Britania, e cila po largohet nga BE në 2019, dhe Danimarka, ishin ndër vendet që nuk morën pjesë.
e.t /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.