Si ndahen fondet në BE? – Italia, Franca, Gjermania dhe Britania japin më shumë sesa marrin
Brukseli dhe Italia janë përfshirë nga një debat mjaft i ashpër mbi çështjen e emigrantëve që duket se mund të ndajë në dy kampe Europën e bashkuar. Një faktor mjaft i rëndësishëm i këtij debati është ana ekonomike.
Vetëm 4 vende në Bashkimin Europian kontribuojnë në buxhetin e përbashkët më shumë para sesa marrin prej fondeve të përbashkëta, dhe një prej këtyre vendeve është Italia.
Tre të tjerat janë: Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca, pra ekonomitë më të mëdha të rajonit. Në 2017-ën, Italia ka marrë 9.8 miliardë euro nga fondet e përbashkëta, ndërkohë që ka kontribuar me 12 miliardë euro.
Gjermania ka derdhur 19.6 miliardë dhe ka marrë mbrapsht vetëm 11, Franca 16.2 miliardë me 13.5 miliardë dhe Britania e Madhe 10.6 miliardë të dhëna dhe 6.3 të marra.
Italia ndërkohë, që nga viti 2001 deri në vitin 2017 gjithmonë ka dhënë më shumë para sesa ka marrë. Në 2011 ka arritur deficitin rekord prej 5 miliardë euro. Përpara viteve 2000, Italia ka qënë një përfituese neto.
Qeveria e re italiane ndërkohë, duket se kërkon që të rikthehet në pozitat e viteve `80-`90. Përfituesit neto ndërkohë janë vendet e Europës lindore me Poloninë në krye, vend i cili merr 12 miliard euro në vit, nga vetëm 3 që jep.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.