Profil/ Kush është Avdullah Hoti, pedagogu dhe ish-ministri i Financave që u bë kryeministër në tentativën e dytë
Avdullah Hoti është kryeministri i tetë në legjislaturën kosovare që pas mbarimit të luftës, i votuar më 3 qershor nga Kuvendi i Kosovës me 61 vota.
I lindur më 04 shkurt 1976, në afërsi të fshatit Rahovec, një pedagog dhe lektor në Universitetin e Prishtinës, z.Hoti ka kandiduar edhe në vitin 2017 për postin më të lartë ekzekutiv, por që nuk rezultoi me sukses.
Ai iu bashkua Lidhjes Demokratike të Kosovës për herë të parë në vitin 2008 ku fillimisht shërbeu si këshilltar për ekonominë i kryetarit të atëhershëm të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.
Mustafa më pas ka pasur një ndikim të madh në besimin e detyrave politike të rëndësishme kundrejt Hotit. Në vitet 2010 – 2013, mandatin e dytë të Mustafës si kryetar, ai u emërua në postin e nënkryetarit të Komunës, ndërsa në 2014-ën do të vinte edhe mandati i tij i parë si deputet në Kuvendin e Kosovës.
Pas fitimit të mandatit të deputeti, ai do ta linte atë për të shërbyer si Ministër i Financave në kabinetin qeveritar deri në vitin 2017.
Më pas në 2017-ën, Hoti u emërua si kryetar i grupit parlamentar të LDK-së dhe gjithashtu në zgjedhjet e po këtij viti ishte edhe kandidat për kryeministër, ku partia e tij doli e treta. Ndërkohë në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit, Hoti mori vetëm 26 mijë vota, ndërsa kandidatja për kryeministre e LDK-së, Osmani doli si personi më i votuar me 176 mijë vota. Ai shërbeu në qeverinë Kurti për dy muaj si zv.kryeministër në koalicionin mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, duke u kthyer në një zë të fortë për mbrojtjen e qëndrimeve të partisë së tij, e cila akuzonte nismat e qeverisë se po shkatërronin marrëdhëniet diplomatike me aleatët kryesorë si SHBA dhe BE.
Hoti ka gjithashtu edhe një profil të lartë akademik, ndërsa përpara politikës profesioni i tij ka qenë fillimisht i asistentit dhe më pas pedagog.
Pasi mbaroi studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, z.Hoti ka kryer studimet e Magjistraturës dhe të Doktoratës për të njëjtën fushë, mes viteve 2001 dhe 2007, në Staffordshire University në Britani të Madhe.
Që nga viti 1998 ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, njëherë si asistent dhe nga viti 2012 si profesor në drejtimet bachelor, master dhe doktoraturë.
Në të kaluarën ka punuar si hulumtues me kohë të pjesshme në institutin Riinvest, në Prishtinë. Ka qenë anëtar i Këshillit drejtues të Universitet Prishtinës dhe anëtar i disa këshillave profesionale dhe akademike në Kosovë dhe jashtë saj. Gjithashtu në jetëshkrimin e tij akademik bëjnë pjesë edhe publikimet shkencore, ku 6 prej tyre janë në gjuhën angleze dhe 16 të tjera publikuar në revista ndërkombëtare mbi çështje të ndryshme që prekin aspektet ekonomike.
Sa i përket familjes, Hoti është i martuar dhe babai i dy fëmijëve. Në pasurinë e tij personale të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, kryeministri i ri ka në zotërim tre banesa të vogla, përkatësisht nga 67 ,59 dhe 65 metra katrorë, të blear ndërmjet viteve 2010- 2018.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.