Projeksionet e Bundesbank – Ekonomia do të ngadalësohet pas vitit 2018, i afrohet nivelit potencial
Ekonomia e Gjermanisë do të përballet me disa sfida në të ardhmen, për rrjedhojë rritja do të fillojë të ngadalësohet pas 2 vitesh, ndërkohë që eksportet industriale priten në rënie, deklaron Bundesbank.
Ekonomia më e madhe e Europës ka qenë motori i performancës së fortë 5-vjeçare ekonomike në Eurozonë, pjesërisht prej politikave lehtësuese monetare që kanë ulur kostot e huamarrjes, gjë që ka nxitur investimet e bizneseve dhe shpenzimet konsumatore.
Ngadalësimi i projektuar nga Bundesbank do të vijë në të njëjtën kohë kur Banka Qendrore Europiane pritet të përfundojë blerjen e obligacioneve duke tkurrur stimujt monetar.
Ndërkohë që performanca e vitit 2018 pritet e fortë në 2.5%, nga 1.7% që qëndronin projeksionet e mëparshme, mungesa e punonjësve të kualifikuar, rritja e kostove të punës dhe shfrytëzimi i plotë i kapacitetit pritet të sjellin një normë rritjeje me 1.7% në vitin 2019.
“Shfrytëzimi agregat i kapacitetit mund të arrijë së shpejti nivele të larta të ngjashme me kulmin e ciklit të fundit ekonomik në 2007-ën. Për rrjedhojë do të jetë tejet e vështirë për të mirëmbajtur një normë rritjeje që është shënjestruar sipër asaj të prodhimit potencial”, deklaron Bundesbank në përditësimin 6-mujor të projeksioneve.
“Kjo rritje ekonomike e përhapur gjerësisht po arrin një pozitë të maturimit, që nënkupton se ritmi i rritjes do të ngadalësohet në terma afat-gjatë, duke i’u afruar rritjes potenciale”, deklaron banka.
Sipas institucionit, nga 2019-a e tutje, eksportuesit gjermanë mund të humbasin pjesë tregu ndërkohë që konkurrueshmëria e tyre bie, kryesisht prej rritjes së shpejtë të kostove të punës për njësi. Por aktualisht, performanca e fortë do të vazhdojë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.