Propozimet e Konfindustrisë – Tatim zero mbi dividentin dhe fitimin e riinvestuar
Konfindustria ka bërë të ditura propozimet që do t’i paraqesë zyrtarisht Ministrisë së Financave për paketën fiskale 2019. Kërkesa e parë është që tatimi i dividentit për kategorinë e bizneseve, që punojnë në kushtet e tregjeve të hapura, të jetë i barabartë me zero. Për bizneset, që punojnë në kushtet e tregjeve të mbyllura, si koncesione, partneritet publik-privat, licenca shtetërore, etj dhe si rrjedhim kanë shkallë të ulët konkurrence, masa e dividentit të jetë e shkallëzuar në rritje, në varësi të fitimit.
Konfindustria vlerëson, se në rast, se tatimi i dividentit ulet për të gjithë kategoritë e bizneseve në të njëjtën masë prej 8% të propozuar nga ekzekutivi, ligji do të ketë vlerë vetëm për kompanitë e tregjeve të mbyllura me akte ligjore, PPP, koncesione, etj dhe që kanë norma të larta fitimi për shkak të mungesës së konkurrencës dhe dhënies së të drejtave natyrore nga shteti. Në një pjesë të madhe kompanitë, që punojnë në kushte të tregjeve të mbyllura dhe të privelegjuara me ligj, janë me kapital të huaj dhe transferojnë pjesën e fitimeve të tyre jashtë vendit.
Gjithashtu, Konfindustria kërkon, që si pjesë e rëndësishme e Paketës Fiskale 2019, të parashikohet ulja në vlerën zero e tatimit për fitimin e riinvestuar nga bizneset. Sipas Konfindustrisë, masa e mësipërme, që është në fuqi pothuajse nga të gjitha vendet e Rajonit, është e domosdoshme për të nxitur realisht rritjen e investimeve dhe rritjen e fuqisë konkurruese të vendit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.