Obligacionet 10 vjeçare – Kuponi i qëndrueshëm në 6.8%
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, interesat e titujve qeveritarë kanë arritur një fazë stabilizimi, që ka përfshirë edhe titujt me afatin më të gjatë të maturimit. Obligacionet 10 vjeçare të qeverisë shqiptare u emetuan këtë javë me një kupon prej 6.8% dhe rezultoi i njëjtë me ankandin paraardhës, që ishte zhvilluar në fillim të muajit korrik.
Vlera e obligacioneve të emetuara këtë javë ishte 2 miliardë lekë, ndërsa shuma e kërkuar në ankande ishte ndjeshëm më e lartë, me 3.56 miliardë lekë. Kërkesa e investitorëve për titujt e qeverisë është e lartë, sidomos për ata më afatgjatë, që sigurojnë edhe kthime më të larta nga investimi.
Tregu rezultoi me interesa të qëndrueshme edhe për titullin me frekuencë më të shpeshtë emetimi, bonot 12 mujore. Në ankandin e kësaj jave, bonot 12 mujore u emetuan me një interes mesatar prej 1.7%, në rritje të papërfillshme nga niveli 1.67% i ankandit paraardhës.
Në veçanti, sistemi bankar është mjaft likuid dhe ngelet i interesuar për investime në titujt e qeverisë, edhe duke pasur parasysh ecurinë e dobët të kreditimit. Obligacionet janë gjithashtu një mundësi e mirë edhe për individët që nuk kanë planifikuar investime në një afat të gjatë dhe janë të interesuar kryesisht për përfitime sa më të larta nga kursimet e tyre. Në një mjedis me norma shumë të ulëta interesi, obligacionet qeveritare ngelen instrumenti ku investitorët mund të sigurojnë kthimet më të kënaqshme.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.