Rast i përsëritur! Firma private dëmton fidrin, OSHEE denoncon – Disa zona pa energji elektrike
Një firme private ka dëmtuar fidrin 326 i Nënstacionit Selite, duke i hapur punë OSHEE për riparimin e dëmit, por nga ana tjetër ata që preken drejtpërdrejt janë banorët e kësaj zone. Janë lënë aktualisht pa energji elektrike zonat, Komuna e Parisit, Petro Nini dhe Stadiumi Dinanmo.
Ky nuk është rasti i parë ku OSHEE denoncon ndërhyrjet pa kriter në terren nga firmat private.
Në disa raste këto firma private kanë kryer ndërhyrje në llogari të bashkisë, sipas njoftimeve të OSHEE.
Edhe në fillim të këtij muaji, më 1 tetor, sërish në zonën e Selitës dhe parkut të Liqenit Artificial, një firmë private brenda 24 orëve dëmtoi dy herë fidrat e energjisë elektrike, duke lënë pa energji dhjetëra biznese e qindra banorë. Riparimi i dëmit shpeshherë kërkon disa orë.
Mungesa e energjisë elektrike, është rast që përsëritet shumë shpesh në vendin tonë, ku shkaqet janë nga më të ndryshmet, ku kryesojnë moti i keq, erërat e forta, skadimi i fidrave, zëvendësimi i transformatorëve, kryerja e remontit në linjat e tensionit të mesëm etj. Kështu nëse llogarisim ndërhyrjet e OSHEE nga muaji shator deri ditën e sotme, janë kryer rreth 15 ndërhyrje, ku dhjetëra zona, qytete e fshatra kanë ngelur pa energji elektrike.
Incidente me firmat private kanë ndodhur edhe gjatë pikut të sezonit turistik, ku qindra pushues kanë vuajtur mungesën e energjisë elektrike.
Një vit më parë, OSHEE kallëzoi në polici 11 firma private, të cilat kishën shkaktuar rreth 40 defekte në Tiranë.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.