Recensioni / Tashmë fenomen jo vetëm europian por global edhe në sektorin e prodhimit
Për ata që nuk e kanë kuptuar ende, ekonomia globale jo vetëm që po ngadalësohet por tashmë është në periudhë recesioni edhe në sektorin e prodhimit. Indeksi global PMI, i cili mat pritshmëritë e menaxherëve të blerjeve të kompanive prodhuese, është tashmë nën 50, pragu që kufizon zgjerimin nga tkurrja ekonomike. Në anën e shërbimeve, PMI-ja është pak më lart (51.8 pikë).
Sidoqoftë ka disa vende, siç është Gjermania (ekonomia e katërt më e madhe në botë), të cilat janë edhe më prapa. Në shtator, PMI prodhuese gjermane, e njoftuar dje, ra në 41.4 pikë. Më e ulët krahasuar me 43.5 në gusht dhe pritjeve prej 44. Bundesbank, banka qendrore gjermane ka zbuluar se “me siguri ekonomia gjermane ka hyrë në një recesion teknik të vogël në tre muajt e fundit deri në shtator”, megjithëse, ai shtoi se “kjo nuk do të thotë domosdoshmërish fundi i zgjerimit ekonomik të kombit ».
Faza e ngadalësimit prek tërë Eurozonën. Dje, guvernatori i BQE-së Mario Draghi iu drejtua Parlamentit Europian: “Që nga seanca ime e fundit para këtij komiteti, zhvillimi i zonës së euros është ngadalësuar ndjeshëm, më shumë nga sa kemi parashikuar. PBB tani parashikohet në 1.1% në 2019, minus 0.6 pikë nga parashikimet e dhjetorit, dhe 1.2% në vitin 2020, minus 0.5 pikë nga dhjetori ». Tregtia e dobët ndërkombëtare, pasiguria e lidhur me proteksionizmin janë faktorët kryesorë, sipas Draghi.
Kjo shpjegon pse dje euro ra nën 1.10 dollarë dhe shkëmbimet europiane humbën mesatarisht mbi një pikë përqindjeje. Sektori i prodhimtarisë po zvogëlohet pothuajse në të gjitha ekonomitë e para të botës. Të dhënat e shtatorit tregojnë se në Eurozonë indeksi ra në 45.6 pikë. Shifrat e gushtit tregojnë një pamje po aq negative: 49.3 në Japoni, 48.7 në Itali, ndërsa Kina është në limitin e 50.4. (Ilsole24ore)
E.S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.