Regjistri qendror/ ‘Të japësh llogari’ për llogaritë
Shqipëria po bëhet gati të krijojë një regjistër qendror për të gjithë llogaritë bankare. Nisma është në proces konsultimi publik dhe vjen në një kohë kur vendi po merr masa për të dalë nga ajo që njihet si “lista gri” e vendeve me probleme në transparencën financiare.
Task Forca Financiare e MONEYVAL, organit ndër – qeveritar të Pavarur nga Këshilli Europian, e përfshiu Shqipërinë në listën gri të pastrimit të parave. FATF zhvillon dhe promovon politika që mbrojnë sistemin financiar global kudnër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe përhapjes së armëve. Pjesë e kësaj liste janë të gjithë ato shtete ku mungojnë juridiksionet dhe strategjitë për parandalimin e pastrimit të parave.
Sipas raportit të FATF, Shqipëria nuk ka mekanizmat indentifikuese të proceseve për marrjen dhe regjistrimin e informacionit për pronarët përfitues si dhe mungesa e detyrimit të organeve ligjore për të mbajtur informacion bazë dhe një regjistër përkatës.
Si rrjedhojë, në kuadër të Planit të Përbashkët të Veprimit për Anti – Terrorizëm për Ballkanin Perëndimor, i cili u nënshkrua në tetor 2018 nga përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka marrë përsipër harmonizimin e direktivave me direktivat e BE-së kundër pastrimit të parave, brenda periudhës 2020-2021. Më tej, në fillim të muajit shtator të këtij viti, Ministria e Financave hodhi për konsultim publik projektligjin për “Regjistrin qendror të llogarive bankare”. Ky projektligj vjen si reflektim i një direktive të Bashkimit Europian që i detyron të gjithë vendet që të marrin një masë të tillë. E në fakt, edhe pse ende nuk është pjesë e Bashkimit Europian, Shqipëria po avancon në aplikimin e kësaj direktive.
Çfarë është Regjistri Qendror i Llogarive Bankare?
Regjistri Qendror i Llogarive Bankare është një sistem qendror elektronik i mbajtësve të llogarive bankare si dhe kasetave të sigurisë, në të cilin regjistrohen të dhënat e raportuara nga institucionet financare. Nëpërmjet këtij database-i të dhënash, organet kompetente do të mund të parandalojnë dhe identifikojnë çdo veprimtari të paligjshme financiare të individëve, personave fizikë, juridikë, apo organizmave ligjorë. Ky regjistër përfshin jo vetëm llogaritë bankare të individëve apo subjekteve, por edhe kasetat e sigurisë të mbajtura nga institucionet financiare apo nga vetë individët, e thënë ndryshe, “kasafortat”. Të dhënat që ky regjistër do të “filtrojë” janë të dhënat identifikuese të personit apo subjektit posedues të llogarisë apo kasetës së sigurisë, numri i llogarisë, historiku i llogarisë bankare, etj.
Sipas projektligjit të publikuar në Konsultimet Publike, Sistemi i regjistrit do të ndërtohet nga Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit dhe do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Qëllimi i Regjistrit Qendror të Llogarive Bankare
Ky regjistër do të shërbejë si rregullator i të drejtave dhe detyrimeve për krijimin, përdorimin dhe funksionimin e regjistrit qendror të llogarive bankare dhe kasetave të sigurisë. Nëpërmjet filtrimit të të dhënave që ky regjistër do të mbajë, zbulimi, identifikimi dhe hetimi i veprimtarisë kriminale do të jetë një proces më i thjeshtëzuar. Nga ana tjetër, këtu përfshihet edhe ndjekja penale e autorëve të veprave penale, zbulimi, gjurmimi apo identifikimi i pasurive të dyshuara me origjinë nga veprimtari kriminale si dhe detyrimet tatimore.
Si do të funksionojë?
“Institucionet financiare duhet të krijojnë dhe mirëmbajnë sisteme që i mundësojnë raportimin e të dhënave çdo ditë, pas përfundimit të operacioneve me mbajtësit e llogarisë bankare ose kasetave të sigurisë; Institucionet financiare i raportojnë të dhënat në mënyrë elektronike, duke përdorur mekanizmin qendror të automatizuar, sipas formatit të skedarit të kërkuar për tu përfshirë në regjistër, pa bërë asnjë ndryshim në të dhëna; Raportimi i parë i institucioneve financiare duhet të përfshijë edhe të dhënat për llogaritë bankare apo kasetat e sigurisë të mbyllura 5 vitet e fundit; Formati i raportimit të të dhënave përcaktohet me Udhëzim të ministrit përgjegjës për financat” përcaktohet në projektligjin e Ministrisë së Financave. Sipas detajeve të mëtejshme, informacioni i grumbulluar mbi llogaritë bankare do të ruhet edhe për 10 vite të tjera pas mbylljes së llogarisë bankare, apo kasetës së sigurisë. Mbledhja, përpunimi dhe administrimi i të dhënave do t’u nënshtrohen rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale, sipas legjislacionit në fuqi.
Kush do të ketë akses në Regjistrin Qendror të Llogarive Bankare?
Një nga pikat më delikatë të projektligjit e që pritet të krijojë diskutime hjatë shqyrtimit në Kuvend pritet të jetë ajo e aksesit në këtë regjistër dhe mënyrës sesi do të ruhen këto të dhëna sensitive.
Organet kompetente që do të kenë akses të drejtëpërdrejtë, në kohë reale dhe pa filtra në Regjistrin Qendror të Llogarive Bankare janë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve si dhe Shërbimi Informativ i Shtetit.
Përsa i përket Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ky organ ka të gjitha kompletencat mbikqyrëse që i takojnë për të përmbushur përgjegjësitë e tij. Konkretisht, projektligji parashikon se DPT-ja do të ketë akses të çdo dokumenti dhe çdo të dhëne të çfarëdolloj forme, të kërkojë informacion nga çdo institucion financiar, të kryejë inspektime në vend apo në distancë, si dhe të urdhërojë institucionet financiare të ndërpresin çdo praktikë që është në kundërtshtim me dispozitat e këtij ligji.
Ndërkohë, autoritetet e tjera të cilat do të duan të kenë informacion të aksesueshëm nga ky regjistër, do të duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim, sipas procedurave. Kjo kërkesë mund të kryhet vetëm për një nga tre rastet e mëposhtme; për të hetuar ose ndjekur penalisht pastrimin e parave, financimn e terrorizmit ose ndonjë tjetër vepër penale sipas Kodit Penal; për të hetuar ëse një pasuri është fituar përmes rrugëve të lartpërmendura, si dhe për të kryer funksione mbikqyrëse.
Nga Jenida Vladi/SCAN Magazine
Lexo numrin e plotë të revistës:
http://online.anyflip.com/sbspu/cvce/mobile/index.html#p=18
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.