Rezultatet e Credins – Aktivet e bankës rriten me 10% në një vit
Credins Bank e mbylli gjysmën e parë të 2018 me rritje vjetore prej më shumë se 10%. Sipas të dhënave të publikuara nga vetë banka, totali i aktiveve në fund të qershorit arriti vlerën e 185 miliardë lekëve ose gati 1.5 miliardë euro.
Credins po konsolidon pozicionin si banka e tretë më e madhe në vend dhe i ka zgjeruar asetet me 17 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në gjysmën e parë të këtij viti, megjithatë, rritja e portofolit ka qenë e ngadaltë, ashtu si për gjithë sistemin bankar.
Portofoli i kredisë së Credins Bank vazhdon të dominohet nga biznesi dhe peshën më të lartë e zënë tregtia, ndërtimi dhe shërbimet e tjera.
Gjatë këtij viti, rritja e aktiveve të Credins është mbështetur kryesisht te aktivet pa rrezik, sidomos në letra me vlerë. Portofoli i titujve të bankës ka arritur në afro 30 miliardë lekë, në rritje me 67% krahasuar me mesin e vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, Credins po pozicionohet gjithnjë e më mirë në tregun e depozitave. Vlera totale e depozitave të klientëve ka arritur në 154 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 7%. Rezultati financiar i bankës ishte pozitiv edhe për gjashtëmujorin e parë, ndonëse në përmasa modeste. Fitimi neto kishte vlerën e 21 milionë lekëve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.