Rimëkëmbet ekonomia franceze – Në 2017-ën, performanca më e mirë që prej vitit 2011
Franca është në rrugën e duhur për të regjistruar rritjen më të fortë ekonomike në 6 vite gjatë 2017-ës, thotë zyra e statistikave në vend.
Tregtia e jashtme dhe rënia e papunësisë do të mundësojnë një normë rritje të prodhimit të Brendshëm Bruto në 1.6%, nga 1.1% që ishte vitin e kaluar.
Gjatë 2016-ës, tregtia u dëmtua nga kriza e miellit, si rrjedhojë e thatësirës, por edhe nga largimi i turistëve që u trembën nga sulmet e njëpasnjëshme terroriste.
Ky përmirësim i indikatorëve makroekonomikë i jep Emmanuel Macron një kartë që paraardhësi i tij nuk e pati dot kurrë.
Në këtë mënyrë, Macron do ta ketë edhe më të thjeshtë që të çojë përpara axhendën e reformave.
Rritja në 1.6% e afron Francën pranë mesatarës së Eurozonës, që fiksohet në 1.8%. Pavarësisht përmirësimit, zyra e statistikave parashikon një ngadalësim të shpenzimeve konsumatore gjatë vitit, si pasojë e rritjes së inflacionit.
Norma e papunësisë projektohet të zbresë në 9.4%, që është edhe niveli më i ulët që prej 2011-ës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.