Rimëkëmbet ekonomia japoneze – Lë pas katastrofat natyrore. Lufta tregtare, rrezik më i madh
Ekonomia japoneze u rimëkëmb në tremujorin e katërt, ndërkohë që shpenzimet e bizneseve dhe konsumatore lanë pas ndikimin e katastrofave natyrore, pavarësisht se tensionet tregtare dhe rritja e taksës mbi shitjet pritet të ngadalësojnë vrullin këtë vit.
Ekonomia e tretë më e madhe në botë u rrit me 1.4% në fundin e 2018-ës, në linjë me projeksionet e ekonomistëve. Kjo erdhi pas një tkurrjeje me 2.6% në tremujorin e tretë, ndërkohë që përmbytjet dhe tërmetet ndaluan përkohësisht prodhimin.
Eksportet u rritën me 1% nga tremujori i kaluar, që është norma më e shpejtë e rritjes në një vit. Megjithatë, pavarësisht rritjes së dërgesave, analistët kanë paralajmëruar për një ngadalësim këtë vit, nëse SHBA dhe Kina nuk zgjidhin konfliktet tregtare.
Sipas analistëve, sa më shumë të zgjasë lufta tregtare, aq më pak incentiva do të kenë bizneset për të investuar në kapital. Në muajin Shtator, një tërmet i madh shkaktoi ndërprerje në ishullin verior të Hokkaido dhe në perëndim të Japonisë, tajfuni i ashpër dëmtoi aeroportet dhe infrastrukturën.
Bizneset reaguan shpejtë në rifillimin e operacioneve pas këtyre katastrofave. Kjo u bë e dukshme te shpenzimet kapitale (capex), që përbënë nxitësin më të madh të ekonomisë në periudhën Tetor-Dhjetor, duke u rritur me 2.4%.
Kompanitë rritën shpenzimet në pajisje të manifakturës dhe makineri të ndërtimit. Konsumi privat, që përbën 60% të PBB në anën e kërkesës, ishte nxitësi i dytë më i madh, duke u rritur me 0.6%.
Konsumi u nxit nga shpenzimet në hotele dhe darkat jashtë. Kërkesa e jashtme, apo eksportet neto, i hoqën 0.3% Produktit të Brendshëm Bruto.
Lufta tregtare mes Kinës dhe SHBA shihet si një rrezik madhor për eksportet e pjesëve të makinave, produkteve elektronike dhe makinerive të rënda drejt kinës, që kanë destinacion SHBA.
Një tjetër rrezik është plani i Qeverisë për të rritur taksën e shitjes në 10%, nga 8%, taksë që i duhet për të paguar rritjen e kostos së mirëqenies.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.