Rreziqet ndaj ekonomisë gjermane – Skandali i ndotjes së makinave kërcënon vrullin e ekonomisë
Skandali i emetimeve të gazrave ndotës që ka goditur prodhuesit gjermanë të makinave, përbën një risk ndaj ekonomisë më të madhe të Europës, deklaron Ministria e Financave duke shtuar se nuk është e mundur të vlerësohet impaktin aktualisht.
Në raportin mujor, ministria nënvizoi këtë çështje, që nisi thuajse 2 vite më parë kur Volkswagen pranoi se kishte shkelur rregullat e ndotjes në SHBA, si rrezik ndaj ekonomisë gjermane së bashku me daljen e Britanisë nga unioni dhe politikat proteksioniste në SHBA. Industria e makinave përbën eksportuesin më të madh në Gjermani, dhe ofron 800 mijë vende pune.
“Rreziqet e lidhura me formën që do të marrë Brexit dhe politikat e ardhshme tregtare në SHBA qëndrojnë ende”, deklaroi Ministria. Përveç këtyre, zyrtarët vlerësuan se skandali i makinave diesel duhet të klasifikohet si një rrezik i ri ndaj ekonomisë gjermane, edhe pse efektet nuk mund të përllogariten aktualisht.
Shpenzimet e forta të ekonomive familjare dhe shtetërore, kanë dhënë kontributin kryesor për ekonominë gjermane në tremujorin e dytë, kur norma e rritjes u regjistrua në 0.6%. Megjithatë, tregtia neto më e dobët zbuti rritjen ekonomike, ndërkohë që eksportet u rritën më pak se importet.
Ministra pret që sektori industrial të vazhdojë në vrull edhe për tremujorin e tretë, duke theksuar porositë e mëdha dhe treguesit e ndjesisë së bizneseve. Megjithatë, skandali diesel mund të zbehë perspektivën për rritjen e ekonomisë gjermane. “Duke marrë parasysh rëndësinë e industrisë së makinave, kjo duhet të klasifikohet si një risk ndaj ekonomisë në terma afat-mesëm”, shkruan ministria në raportin mujor.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.