Rritet papunësia në Francë – Por, rritet edhe punësimi. Impakti i reformës?
Norma e papunësisë në Francë u rrit lehtë gjatë muajit tetor, pavarësisht rritjes së punësimit në vend, tregojnë të dhënat e fundit nga ministria e punës. Numri i personave të regjistruar si të papunë u rrit kështu me 8000 të tillë gjatë muajit të kaluar, për të prekur shifrën totale të 3.483.600 personave të papunë.
Kjo përkthehet në një rritje të papunësisë me plot 0.2%, në 9.7%, si në terma mujorë ashtu edhe në terma vjetorë.
Pavarësisht përmirësimit të ekonomisë franceze dhe krijimit më të shpejtë të vendeve të punës, numri i të papunëve është ulur mjaft lehtë që prej vitit 2015 tregojnë të dhënat.
Presidenti Macron ndërkohë ka premtuar të ulë normën e papunësisë në 7% brenda fundit të mandatit të tij, që përfundon në vitin 2022.
Reforma e parë e Macron në detyrë ka qenë pikërisht ajo e kodit të punës, në muajin Shtator, që i jep më shumë liri punëdhënësve për të pushuar dhe për të punësuar personel.
Ky mund të jetë pikërisht shkaku i të dhënave disi paradoksale, paçka se është ende herët për të dalë në përfundime sa i përket reformës në tregun e punës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.