“Shfryhen” sigurimet – Rritje më e dobët për primet dhe dëmet

Tregu i sigurimeve po shfaq një rritje të dobët në gjysmën e dytë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në fund të 10 mujorit rritja e primeve të shkruara bruto ishte më pak 9%.
Ritmet e rritjes kanë ardhur gradualisht në rënie gjatë vitit. Tremujori i parë ishte mbyllur me një rritje prej afro 18%, ndërsa në fund të gjashtëmujorit rritja kishte qenë 12%.

Asnjë nga produktet kryesore të sigurimit nuk po shënon ndonjë rritje mbresëlënëse. Produkti më i rëndësishëm, sigurimi motorrik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta, për 10-mujorin u rrit me 10%. Ndërsa produkti më me peshë mes sigurimeve vullnetare, sigurimi ndaj zjarrit dhe forcave të natyrës ishte në rritje me rreth 6%.
Edhe një nga produktet më të suksesshme në vitet e fundit, sigurimi i shëndetit, këtë vit po rezulton në rënie, me afro 13% më pak krahasuar me një vit më parë.
Shifrat e tregut të sigurimeve janë në shfryrje edhe për sa i përket dëmeve. Për tremujorin e parë të vitit dëmet në sigurime ishin rritur me 83%, për gjashtëmujorin rritja e tyre zbriti në 44%, ndërsa në fund të 10-mujorit dëmet rezultoni në rritje me më pak se 16%.
Raporti mes dëmeve dhe primeve është rikthyer në kufijtë e 30%, duke e mbajtur Shqipërinë si një ndër vendet me raportin më të ulët në Europë për këtë tregues.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.