Sa para do marrin të papunët në vitin 2021? – 1 miliard lekë në dispozicion, përfitojnë mbi 3600 individë
Nga 1 Janari 2021, individët që trajtohen me pagesë papunësie nga shteti, do të marrin dyfishin e masës që përfitojnë aktualisht. Në buxheti e vitit të ardhshëm është akorduar një fond prej 1 miliardë lekësh, me qëllim që ti vihet në ndihmë atyre qytetarëve që kanë humbur punën edhe për shkak të pandemisë COVID-19, me qëllim që të përballojnë më mirë këtë periudhë të vështirë që po kalon vendi. Por sa qytetarë trajtohen aktualisht me pagesë papunësie dhe sa është masa e saj?
Referuar shifrave zyrtare të INSTAT, në tremujorin e dytë të këtij viti, rezulton se në të gjithë vendin janë marrin mbështetje financiare, 3656 individë, shifër kjo që ka ardhur në rritje krahasuar me periudhat e mëparshme dhe rezulton më e larta që nga tremujori i dytë i 2017-ës. Ndërsa rritja në krahasim me fundvitit e kaluar, pavarësisht situatës së pandemisë është regjistruar në vetëm me 1 mijë individë në total. Pagesa e papunësisë që ofrohet nga buxheti është në masën e 13 mijë lekëve në muaj, që me këtë rritje që do të pësojë, parashikohet që një qytetar që përfiton këtë pagesë, të marrë mesatarisht 26 mijë lekë.
Shifra kaq e ulët e përfituesve, ndër vite tregon edhe informalitetin e lartë në tregun e punës, duke qenë se të drejtën e përfitimit e ka një individ që ka punuar vitin e fundit duke paguar normalisht kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore. Ndërsa sa i takon situatës së pandemisë, duket se bonus i dhënë nga qeveria për ata që humbën vendin e punës, ka frenuar dhe kapërcimin e shifrave.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.