Sërish probleme me vaksinat e importuara nga Spanja – Japonia raporton një tjetër rast kontaminimi nga vaksinat Moderna
Japonia ka raportuar një rast tjetër të kontaminimit në një seri vaksinash Moderna COVID-19 të importuara nga Spanja. Një farmacist kishte raportuar disa grimca të zeza në një shishe të vaksinës në Kanagawa, në jug të Tokios.
Zbulimi vjen vetëm një javë pasi qeveria japoneze vendosi të bllokojë më shumë se 1.6 milion doza të vaksinave Moderna për shkak të frikës së kontaminimit. Moderna konfirmoi të Mërkurën se “grimca çeliku” ishin gjetur në disa shishe vaksine.
Por anomalia nuk paraqet rrezik për shëndetin, sipas një deklarate të përbashkët nga kompania farmaceutike dhe Takeda, shpërndarësi japonez i vaksinave. Takeda thotë se gjurmët besohet se kanë ardhur nga “një pajisje në linjë prodhimi” dhe “nuk paraqesin një rrezik të panevojshëm nga pikëpamja mjekësore”.
Rovi, një kompani spanjolle që prodhon dhe paketon vaksinën për tregun japonez, gjithashtu ka marrë pjesë në hetim. Sipas deklaratës, ka shumë të ngjarë që grimcat e çelikut të kenë ndodhur gjatë një dështimi teknik në linjën e prodhimit që preku tre lote vaksinash Moderna.
Moderna dhe Takeda shtuan se nëse grimca të vogla çeliku injektohen në një muskul, “një reagim lokal mund të ndodhë, por nuk ka gjasa të rezultojë në reagime të tjera negative”. Autoritetet japoneze po hetojnë gjithashtu vdekjen e dy personave të cilët u vaksinuan me njërën nga tre grupet para se të tërhiqeshin.
Takeda dhe Moderna thanë se nuk kishte “asnjë provë” në këtë fazë që vdekjet mund të ishin shkaktuar nga vaksinat, por theksuan rëndësinë e një hetimi formal mbi këtë çështje. Japonia është mbështetur tërësisht në vaksinat e huaja të prodhuara nga Moderna, Pfizer dhe AstraZeneca për të imunizuar popullsinë e saj kundër koronavirusit. (EN)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.