SHBA, rritje ekonomike rekord – Niveli më i lartë që prej vitit 2014, gati për impaktin e luftës tregtare
Ekonomia amerikane u rrit me hapin më të shpejtë në katër vite gjatë tremujorit të dytë të vitit, tregojnë të dhënat më të fundit që vijnë nga vendi. Shpenzimet e forta konsumatore kanë paraprirë kështu efektin e luftës tregtare, me tarifat e reja që kanë hyrë në fuqi që prej muajit Korrik. Impakti i luftës tregtare do të vihet re kështu në tremujorin e tretë të vitit.
Të dhënat flasin për një rritje ekonomike pranë 4.1% përgjatë tremujorit të dytë, thotë departamenti i tregtisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është edhe performanca më e fortë që prej tremujorit të tretë të 2014-ës. Edhe shpenzimet qeveritare, në rritje të ndjeshme, kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm në këtë shifër.
Donald Trump i komentoi të dhënat më të fundit të Prodhimit të Brendshëm Bruto duke hënë se, administrata e tij ka arritur një kthesë ekonomike të përmasave historike. Edhe të dhënat e tremujorit të parë janë rishikuar në rritje, tashmë në 2.2%. Kërkesa e brendshme ndërkohë regjistrohet në rritje me 4.3% gjatë tremujorit të dytë.
Reol Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.