Shëndetësia elektronike – Rritet kosto e projektit me 49 mijë euro, nuk u zbatuan afatet
Sipas raportit përfundimtar të Auditimit “Mbi ligjshmërinë, rregullshmërinë dhe vlerësimin e veprimtarisë ekonomiko-financiare për projektin “Shëndetësia elektronike e Shqipërisë, rezulton që kostot e këtij projekti të jenë rritur si pasojë e mos implementimit të tij brenda afatit.
Në total për të tre vitet shuma e huasë së disbursuar është 13 mijë euro. Përkatësisht në vitin 2014 është disbursuar shuma 6,5 milionë euro, në vitin 2015 është disbursuar shuma 5,7milionë euro dhe në vitin 2016 shuma e disbursuar është 702 mijë euro.
Ka mbetur pa u disbursuar shuma 993 mijë euro ose 7% e huasë. Sipas kontratës së blerjes projekti duhet të përfundonte në qershor të vitit 2015, afat i cili nuk ka mundur të përmbushet dhe nga palët është rënë dakord që afati i përfundimit të projektit të jetë fundi i vitit 2016.
Për periudhën e shtyrjes së afatit, pala shqiptare ka përballuar pagesat për tarifën e angazhimit, tarifë e cila paguhet për pjesën e pa tërhequr të kredisë.
Në se projekti do ishte implementuar brenda aftit të përcaktuar në marrëveshjen e blerjes edhe disbursimi i kredisë do të ishte bërë brenda afatit, dhe si rrjedhojë nuk do të kishte lindur nevoja e pagesës së tarifës së angazhimit për periudhën pas qershorit të vitit 2015.
Nga kjo periudhë deri në momentin e auditimit Ministria e Financave ka kryer tre pagesa për tarifën e angazhimit në shumën gjithsej 49 mijë euro, shumë e cila ka rritur koston e projektit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.