Shërbimet publike elektronike – Ja për çfarë e përdorin portalin “e-Albania” individët dhe bizneset (Raporti i plotë)
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka publikuar Raportin Vjetor Përmbledhës për vitin 2016.
Gjatë këtij viti shërbimet elektronike në portalin e-Albania kanë arritur në 465, duke u shtuar me 217 shërbime të reja krahasuar me 2015.
Numri i përdoruesve ka arritur në 241 621, nga ku mbi 71 mijë përdorues janë regjistruar në 2016-ën. Edhe numri i institucioneve të lidhura me këtë platformë arriti në 42 nga 37 në vitin 2015.
Përsa i përket përdorimit të shërbimeve elektronike, përfituesit kryesorë në kategorinë e individëve janë maturantët, të cilët regjistrohen për të parë rezultatet, ndërsa aplikimet për kartën e shëndetit zënë vendin e dytë.
Në kategorinë e bizneseve, shërbimi më i përdorur është ai i depozitimit të bilanceve vjetore.
Aplikimi për leje ndërtimi, përbën gjithashtu një shërbim të rëndësishëm me 20525 aplikime mes qytetarëve dhe bizneseve.
Moshat 18 deri në 34 vjeç përbëjnë 60% të përdoruesve, ndërsa 2 të tretat e rikthehen në faqe. Problematika më e madhe për të cilën përdoruesit kanë kërkuar asistencë është zhbllokimi i llogarisë dhe reset-imi i passwordin, me pothuajse 4 mijë raste.
Programi i Qeverisë për axhendën dixhitale të Shqipërisë përcakton tre drejtime kryesore që duhen ndjekur. Ato janë shtimi i shërbimeve elektronike, aftësimi i të rinjve në përdorimin e TIK duke e përfshirë në edukim, si dhe konsolidimin e infrastrukturës dixhitale në të gjithë territorin e vendit.
Për të lexuar raportin e plotë: kliko këtu.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.