Partnerët tregtarë/ Rriten ndjeshëm eksportet me Kosovën, por ulen me vendet e BE-së. Importojmë ‘drastikisht’ nga Italia, SHBA-të dhe Turqia
Nga statistikat e publikuara të datës 17 mars në INSTAT për tregtinë e jashtme, që tregon shifrat për muajin shkurt dhe dymujorin e parë të 2021, SCAN TV ka bërë një analizë të gjithë diferencave në (milionë lekë) që kemi me partnerët tregtarë në eksporte dhe importe, duke evidentuar edhe rëniet apo rritjet më drastike ndër to.
Kategoritë e tregtisë së jashtme ndahen në vendet e BE-së dhe vendet e tjera në botë.
Eksportet me vendet e BE-së
Për të filluar me eksportet në vendet e BE-së vihet re një rënie e madhe me Gjermaninë në vlerën e 350 milionë lekëve. Rëniet më drastike paraqiten me Italinë në vlerën e 1 mld e 400 milionë lekëve dhe Spanjën në vlerën e 1 mld e 200 milionë.
Sa i përket rritjes në eksporte me vendet e BE-së në muajin shkurt kemi me Austrinë në vlerën e 35 milionë lekëve, Greqinë në vlerën e 200 milionë lekëve dhe me Kroacinë në vlerën e 50 milionë lekëve. Me vendet e tjera të BE-së kemi një rritje të konsiderueshme prej 900 milionë lekësh.
Në total vlera e eksporteve me vendet e BE-së ka rënë me 1 mld e 750 milionë lekësh.
Situata paraqitet e njëjtë edhe për dymujorin ku rënia apo rritja është thelluar me partnerët tregtarë, ndërsa në vlerë totale ka një përmirësim me vendet e BE-së prej 350 milionë lekësh nga janari në shkurt.
Eksportet me vendet e tjera
Sa i përket eksporteve me vendet e tjera kemi rënie me Mbretërinë e Bashkuar në vlerën e 23 milionë lekëve, kjo për shkak edhe të Brexit, ku vetëm së fundi vendi ynë ka nënshkruar një marrëveshje tregtare. Me Maqedoninë e Veriut eksportet kanë pësuar rënie prej 99 milionë lekësh, por edhe me Ukrainën në vlerën e 13 milionë lekëve.
Nga krahu tjetër vendi ynë ka rritje me Kinën në vlerën e 68 milionë lekëve si edhe me SHBA-të në vlerën e 145 milionë lekëve.
Me Kosovën kemi një rritje të ndjeshme në eksporte ku vlera kap shifrën e 500 milionë lekëve, por pas nuk mbetet as Zvicra me një rritje të konsiderueshme në vlerën e 143 milionë lekësh.
Me vendet e tjera kemi pësuar gjithashtu një rritje të konsiderueshme prej 607 milionë lekësh.
Importet me vendet e BE-së
Sa i përket importeve me vendet e BE-së me Greqinë kemi ulje në vlerë importesh prej 180 milionë lekësh gjithashtu me Spanjën në shumën e 360 milionë lekëve. Pjesë e kësaj kategorie është edhe Kroacia në shumën e 50 milionë lekëve.
Sa i përket rritjeve në importeve situata paraqitet e tillë ku me Austrinë është në shumën prej 7 mln lekësh, gjithashtu me Gjermaninë në shumën e 480 milionë lekëve dhe me Italinë shihet një rritje e ndjeshme në shumën e 930 milionë lekëve. Ndërkohë me vendet e tjera të BE-së kemi një rritje gjithashtu të ndjeshme prej 550 milionë lekësh.
Në total me vendet e BE-së kemi një rritje prej 1 mld e 80 mln lekësh në muajin shkurt.
Importet me vendet e tjera
Në importet me vendet e tjera me Mbretërinë e bashkuar është shënuar një rritje në vlerën e 90 milionë lekëve, gjithashtu me Kinën në shumën e 32 milionë lekëve.
Me Kosovën dhe Maqedoninë vendi ynë ka rritur importet në mënyrë modeste respektivisht në shumën e 34 milionë dhe 72 milionë lekëve.
Rritjet më drastike në importe i kemi me SHBA-të në vlerën e 650 milionë lekëve me Turqinë në vlerën e 556 milionë lekëve dhe Ukrainën në vlerën e 210 milionë lekëve.
Vendet tregtare me të cilat importet kanë pësuar rënie në muajin shkurt janë Rusia në vlerën drastike prej 890 milionë lekëve, por edhe me Zvicrën gjithashtu në vlerën e 1 mld e 100 milionë lekëve. Edhe në kategorinë e vendeve e tjera kemi një rënie në importe në shumën e 370 milionë lekëve.
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.