Shkolla të reja në Tiranë – 6.2 mld lekë kosto fillestare, si do funksionojë PPP
20 shkolla të reja në total, 3 prej të cilave janë aktualisht në proces, do të kompletojnë kryeqytetin, duke i dhënë fund mësimit me dy turne, por duke shërbyer edhe si qendra komunitare.
Por duke qenë se kosto fillestare për 17 shkolla të pa nisura ende, është llogaritur në vlerën e 6.2 miliardë lekëve, afërsisht sa gjysma e buxhetit të Bashkisë së Tiranës, është i pamundur ndërtimi në një afat të shpejtë kohor.
Kështu Bashkia do të aplikojë një skemë të re partneriteti publik- privat, ku kompani të ndryshme me kapital të mjaftueshëm financiar, mund të marrin përsipër ndërtimin e shkollave për një afat kohor të shkurtër dhe pagesat e investimit nga ana e Bashkisë të ndahen në disa vite, duke aplikuar edhe një normë të caktuar interesi.
Aktualisht Bashkia e Tiranës ka evidentuar terrenet se ku do të ndërtohen këto institucione arsimore dhe ka kryer studimin e fizibilitetit.
Gjatë vitit 2016 të ardhurat nga taksa e re e infrastrukturës arsimore për bizneset dhe familjarët janë regjistruar në vlerën e 360 milionë lekëve, të cilat janë depozituar në një llogari të posaçme të Bashkisë së Tiranës dhe do të përdoren gjatë këtij viti për kryerjen e shpronësimeve në terrenet që janë zgjedhur për ndërtimin e shkollave, në mënyrë që të jenë sa më pranë komunitetit.
10 shkolla janë parashikuar të jenë të ciklit 9 vjeçar, të cilat do të përfshijnë edhe ambiente për kopshte brenda tyre dhe 7 shkolla të ciklit të mesëm të lartë.
Institucionet arsimore do të ndërtohen në njësitë 5,7, 8,9, 11, në Dajt, Farkë dhe Kashar, njësi që vuajnë më së shumti mungesën e këtyre institucioneve arsimore.
Elisabeta Dosku/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.