Shqiptarët kursyen 315 milion euro në 2019 – Euro ngelet mbizotëruese në depozitat bankare
Depozitat bankare u rritën me 38 miliardë lekë ose rreth 315 milionë euro vitin e kaluar. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, në fund të dhjetorit depozitat e përfshira në paranë e gjerë arritën në 1027 miliardë lekë, afërsisht 4% më shumë krahasuar me vitin 2018. Rritja ka qenë e përqendruar sidomos në 6-mujorin e dytë të vitit, e mbështetur nga turizmi, remitancat dhe rritja e shpenzimeve publike. Gjatë muajit dhjetor, u konfirmua një tendencë pak a shumë e zakonshme sezonale për rritje të depozitave bankare. Gjatë një muaji, totali i depozitave u shtua me rreth 10.5 miliardë lekë.
Struktura e depozitave vazhdon të dominohet nga fondet në valutë dhe sidomos në euro, që mbetet zgjedhja e parë e shqiptarëve për mbajtjen e kursimeve të tyre. Në fund të dhjetorit, depozitat në valutë përbënin rreth 55% të totalit të depozitave bankare. Megjithatë, për dhjetorin kontributin më të madh rritje e dhanë depozitat në lekë, që u zgjeruan me rreth gjashtë miliardë lekë, ndërsa depozitat në valutë u shtuan për vlerën ekuivalente të katër miliardë lekëve.
Edhe gjatë vitit të kaluar mes depozituesve mbizotëroi tendenca për t’i mbajtur fondet e tyre në formë likuide, në llogari rrjedhëse ose depozita pa afat. Kjo lidhet me normat e ulëta të interesit, që nuk japin stimuj për t’i mbyllur paratë në depozita me afat. Depozitat e mbyllura, me afate të përcaktuara maturimi pësuan rënie, si për lekun, ashtu edhe për valutën e huaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.