Si mund të kontribuojnë fondet publike për të reduktuar hendekun dhe pabarazitë gjinore?
Nga Enea Sheqi
Hartimi i buxheteve me perspektivë gjinore është një politikë shtetërore që shërben për të ngushtuar hendekun gjinor dhe për të promovuar barazinë gjinore, rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Shpërndarja e fondeve publike duke mbajtur në vëmendje një gjini të caktuar mund të forcojë pozitën ekonomike, sociale e kulturore të gjinisë së diskriminuar. Kur diskutohet për shpërndarje të fondeve publike për të reduktuar hendekun gjinor nuk është fjala për krijimin e një buxheti të ndarë për gratë apo për meshkujt, por nënkuptohet ndikimi që mund të ketë buxheti tek një gjini e caktuar për të përcaktuar mënyra të reja të shpërndarjes së fondeve publike dhe inkorporuar politika apo programe të caktuara për të promovuar barazinë gjinore.
Në vijim të këtij punimi do të bëhet një analizë e mënyrave të shpërndarjes së fondeve publike nën prespektivën gjinore, shembujve e praktikave më të mira në këtë drejtim, si dhe të impaktit që mund të kenë studimet në këtë fushë për promovimin e barazisë gjinore.
Meshkujt dhe gratë kanë të drejta të barabarta, pavarësisht prejardhjes së tyre, statusit social dhe ekonomik, apo diferencave të ndryshme. Sejcili individ ka të drejtë që të aksesojë financat dhe asetet publike në përputhje me legjislacionin vendas, duke pasur të drejtën për të ngritur një biznes, të marrë pjesë në vendimarrje apo të kërkojë llogaridhënie për përdorimin e financave publike.
Pabarazia gjinore në sferën ekonomike çon në humbje të konsiderueshme të rritjes ekonomike çdo vit, duke ndikuar si në produktivitet ashtu dhe në prosperitet e mirëqenie. Buxhetimi dhe shpërndarja e fondeve duhet bërë gjithmonë nën një perspektivë gjinore, në mënyrë që të adresohen çështjet e pabarazisë gjinore, hierarkisë gjinore, apo diferencave në pagë e trajtim financiar. Politikat financiare dhe strategjitë kombëtare duhet të kenë në fokus zhdukjen e pabarazive e ngushtimin e hendeqe ndaj gjinisë së prekur ndaj kushteve të caktuara. Kështu këto politika duhet të jenë të qarta, të plotësojnë nevojat e gjinisë së diskriminuar në aksesin ndaj financave publike.
Buxhetimi gjinor është aplikimi i perspektivës gjinore në procesin buxhetor. Kjo nënkupton një vlerësim të buxhetit të bazuar tek gjinia, duke përfshirë në aspektet gjinore nivelet e procesit buxhetor dhe ristrukturimin e të ardhurave e shpenzimeve me qëllim promovimin e barazisë gjinore.
Shpërndarja e fondeve publike për të reduktuar pabarazitë gjinore mund të shihet në disa nivele:
- Nivel qëndror;
- Nivel vendor;
- Nivel programor.
Në nivel qëndror mund të arrihen rezultate duke ndërmarrë nisma legjislative për buxhetimin gjinor, duke lidhur buxhetimin gjinor me reformim e menaxhimit fiskal, duke parashikuar zëra të vecantë buxhetor gjinor, etj. Në nivel vendor mund të arrihen rezultate më të larta nëpërmjet kualifikimit dhe trajnimit të stafeve, politikave fiskale efikase sektoriale, apo aksesit në vendimarrje. Së fundmi niveli programor është një shembull i mirë se si me anë të një skeme apo një programi mund të planifikohen arritje për një target-grup të caktuar, në bazë të karakteristikave të tyre të veçanta, duke synuar të ngushtohet një diferencë financiare ndërmjet gjinive. Në nivel programor mund të përfshihen projektet dhe kërkimet e ndryshme shkencore nga organizata të nivelit kombëtar apo ndërkombëtar.
Si mund të shpërndahen fondet publike për të luftuar pabarazitë gjinore
Shqipëria si një vend në zhvillim mund të themi se ka një hendek financiar ndërmjet gjinive dhe mbështetja me anë të financave publike për të ngushtuar këtë hendek është mëse domosdoshme. Në vitet e fundit janë ndërmarrë nisma pozitive si “Strategjia për Menaxhimin e Financave Publike 2019-2022”, krijimi i Sistemit Informativ të Menaxhimit Financiar Shqiptar (AFMIS), miratimi i Ligjit Nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, etj.
Në shpërndarjen e fondeve publike për ngushtimin e hendeqeve gjinore nevojitet të ketë studime e statistika. Këto të dhëna buxhetore duhet të jenë sektorale, që tregojnë shpërndarjen e buxheteve në një sektor të caktuar (arsimi, shëndetësia, etj), si dhe të dhëna për përdorimin e të njëjtave shërbime nga meshkujt apo gratë.
Një stimul ndaj gjinisë më të diskriminuar në biznes (gratë) mund të jetë mbështetja financiare në nxitjen për të hapur një biznes apo një aktivitet ekonomik. Për shembull parashikimi i granteve financiare për hapjen e SME-ve nga gratë mund të jetë një politikë efikase për të nxitur barazinë gjinore në biznes, si dhe për të përforcuar rolin e tyre ekonomik e pozitën e tyre në shoqëri. Në këtë kuadër mund të parashikohen fonde (nivel lokal, programor apo qëndror) për të kryer edhe aktivitete, seminare, apo takime për të informuar mbi mundësitë e financimit të bizneseve të reja si dhe të vetëpunësimit të grave. Kjo politikë mund të kryhet edhe për gratë që janë në përfundim të një arsimi të lartë, ashtu dhe për gratë që kërkojnë që të hapin një biznes dhe të kenë pavarësi financiare.
Kjo mbështetje financiare mund të ofrohet edhe ndaj bizneseve apo kompanive që kanë të punësuara më shumë gra. Kjo mbështetje finanicare mund të ofrohet në formën e rimbursimit financiar ndaj kësaj kompanie, në lehtësirat fiskale dhe detyrimet tatimore që mund të ketë si subjekt i së drejtës financiare. Të njëjtat lehtërisa duhet që të krijohen edhe në trajtimin financiar për punën e kryer (pagën) që merret nga gratë për të ngushtuar hendekun financiar ndërmjet dy gjinive. Për shembull krijimi i lehtësirave fiskale dhe detyrime tatimore mund të jetë një një politikë efikase për të forcuar pozitën ekonomike të grave në shoqëri.
Partneriteti publik privat mund të jetë një shembull se si fondet publike mund të ndihmojnë në mënyrë efikase për të luftuar pabarazitë gjinore. Kështu implementimi i projekteve nga ana e sektorit privat me mbështetjen e fondeve publike në përfitimin e shërbimeve publike nën prespektivën gjinore, mund të ndihmojë në rritjen e punësimit të grave në sektorë të caktuar, apo të rritjet të nivelit të pagave, forcimit të pozitës së tyre, etj. Përveç promovimit të barazisë gjinore me anë të këtyre politikave zhvillohet edhe përgjegjësia sociale e bizneseve për të respektuar të drejtat e njeriut.
Investimi për të reduktuar pabarazitë gjinore do të thotë një investim në kapitalin njërëzor. Pra promovimi dhe fuqizimi i aftësive të grupeve të caktuara me qëllim rritjen e përfitimeve të përbashkëta dhe inovacionit. Reformat në Menaxhimin e Financave Publike dhe reformat në mënyrën e administrimit të burimeve njerëzore që sigurojnë një pjesëmarrje më të lartë të grave në poste menaxheriale, mund të sigurojnë një buxhetim i cili ndikon më shumë në çështjet gjinore.
Administrimi publik dhe barazia gjinore kanë një lidhje të ngushtë me menaxhimin e fondeve publike dhe mund të arrihen rezultate nëse do të bëhet një lidhje efikase ndërmjet tyre. Ndonëse ligjërisht gratë kanë të drejta të njëjta për të pasur akses në administrimin publik, faktikisht vazhdohet të ketë akoma diferencë gjinore në punësim e promovim. Statistikisht gratë renditen më lart në nivelin kulturor dhe arsimor sesa burrat, por punësimi mbetet ende një barrierë për to. Ndërmarrja e politikave për një punësim të barabartë ndërmjet gjinive i shërben një administrimi më të drejtë, llogaridhënës e transparent. Gjithashtu një fond i veçantë mund të parashikohet për trajnimin fillestar dhe të vazhdueshëm të grave. Kjo duhet bërë për të mos lejuar që përgjegjësitë familjare (leja e lindjes, leja prindërore, kujdesi ndaj fëmijëve) të ndikojnë në rritjen profesionale apo në karrierën e grave.
Në kuadër të luftës ndaj pabarazisë gjinore si dhe për të ngushtuar hendekun ndërmjet gjinive një rol të rëndësishëm luajnë edhe organizatat e shoqërisë civile. Këto organizata mund të ndikojnë në hartimin e buxheteve për shpërndarje të drejtë të fondeve publike me qëllim adresimin e çështjeve gjinore. Organizata të shoqërisë civile që përfaqësojnë gratë, apo një grup organizatash të shoqërisë civile mund të jenë përfituese të projekteve në nivel qëndror apo lokal që kanë për qëllim fuqizimin e rolit të grave, trajnimin e tyre, rritjen e ndërgjegjësimit në shoqëri, mbrojtjen e të drejtave të grave, parandalimin e trafikimit apo dhunimit të tyre, etj. Në nivel programor, të ndërthurur me atë lokal këto organizata mund të ndërmarrin inicitiava për nxitjen e krijimtarisë intelektuale e ngritjen e bizneseve nga gratë (si gjini më pak e përfaqësuar në fushën e pronësisë intelektuale), duke shfrytëzuar resurset lokale, tradicionale e artizanale.
Bashkëpunimi institucional është mjet kyç për ngushtimin e hendekut ndërmjet gjinive. Për shembull në menaxhimin e alokimin e fondeve publike mund të parashikohet një fond (zë buxhetor) i veçantë në ministrinë përgjegjëse për arsimin që nxit kërkimin shkencor për çështjet gjinore. Përfitues nga ky fond mund të jenë institucionet e arsimit të lartë, organizatat e shoqërisë civile, apo studiuesit e fushës, me qëllim hartimin e dokumentave strategjikë në drejtim të arritjes së barazisë gjinore. E njëjta situatë mund të përmendet edhe në mbështetjen e ofruesve të shërbimeve mediatikë, apo shoqërive të informacionit me qëllim promovimin e barazisë gjinore, spoteve informuese mbi të drejtat e një përkatësie gjinore të diskriminuar, etj.
Në hartimin e buxheteve vjetore duke përfituar nga eksperiencat e vendeve europiane si praktika më të mira dhe më të konsoliduara, mund të bëhen përpjekje për rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës. Kështu mund të ndërmerren aktivitete të ndryshme, apo të krijohen lehtësira për përkujdesjen e fëmijëve nën 3-vjeç nën shembullin e shtetit Austriak. Parashikimi i një fondi të veçantë në strukturën përgjegjëse për krijimin e fasiliteteve të tilla, do ti shërbente më së miri rritjes së pranisë së grave në tregun e punës.
Auditimi gjinor është një metodë e rëndësishme që mund të përdoret për të parë shperndarjen e të ardhurave dhe performancës së tyre në realizimin e objektivave financiare gjinore. Kështu shfaqen indikatorët e performancës dhe pakënaqësisë. Auditimi financiar gjinor shërben më së miri për të identifikuar dhe kuptuar modelet gjinore në përbërjen e tyre, strukturat, proceset, kulturën organizative dhe menaxhimin e burimeve financiare, si dhe në hartimin dhe ofrimin e politikave dhe shërbimeve. Ky audit mund të jetë një audit i brendshëm institucional, ose një audit i jashtëm.
Konkluzione
Në përfundim mund të themi se shpërndarja e drejtë e fondeve publike për të reduktuar hendekun dhe pabararazitë gjinore kërkon një angazhim të fortë shtetëror dhe bashkëpunim ndërmjet insitucioneve. Promovimi i barazisë gjinore nëpërmjet fondeve publike mund të arrihet nëpërmjet bashkëpunimit të të gjithë grupeve të interesit, e mund të sjellë ndryshime të rrënjësishme në statusin social, ekonomik e kulturor të gjinive. Një menaxhim i drejtë i fondeve publike dhe shpërndarje e drejtë e këtyre fondeve me qëllim ngushtimin e hendekut ndërmjet gjinive mund të kategorizohet në tre kategori:
- Fondet që kanë si synim fuqizimin e rolit të grave dhe shpenzimet publike që synojnë mbështetjen e programeve të veçanta për gratë;
- Fondet dhe shpenzimet publike që përfshijnë programet për të promovuar punësimin e grave dhe burrave në kuota të barabarta, përfaqësim të barabartë në poste menaxheriale dhe pagë të barabartë;
- Fondet dhe shpenzimet publike që kanë të bëjnë me ngushtimin e hendekut gjinor, por që nuk përfshihen në dy kategoritë e sipërpërmendura.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.